Në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit po zhvillohen homazhe në nderim të Servet Pëllumbit, ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës së tranzicionit pas viteve ’90.
Homazhet kanë nisur në orën 09:30 dhe do të vijojnë deri në orën 12:00. Më pas, në orën 13:00, kortezhi mortor do të drejtohet drejt varrezave të Sharrës, ku do të përcillet për në banesën e fundit.
Në ceremoninë e homazheve kanë marrë pjesë personalitete të shumta të politikës shqiptare. Nga radhët e opozitës është parë edhe deputeti demokrat dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, i cili ka nderuar figurën e Servet Pëllumbit.
Homazhe ka zhvilluar edhe shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj, i cili e cilësoi Pëllumbin si një model të rrallë në politikën shqiptare.
“Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri. Besnik i parimeve të së majtës europiane. La në Shqipëri shembullin e politikanit fleksibël, të urave të dialogut, të zgjidhjeve të vështira si pak kush tjetër. Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër”, tha Zogaj.
Servet Pëllumbi ishte një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste dhe politikës shqiptare në dekadat e fundit. Ai mbajti disa mandate si deputet dhe shërbeu edhe në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Për kontributin e tij, ai është dekoruar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Servet Pëllumbi lindi më 14 dhjetor 1936 në Korçë dhe për shumë vite konsiderohej një nga zërat më të rëndësishëm në debatet politike në vend. Ai qëndroi aktiv në jetën politike për dekada me radhë, deri në tërheqjen nga jeta publike në vitet e fundit.
Lini një Përgjigje