
Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë...
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndalur drejtorin e IT në polici, Ervin Muça, pas vendimit të gjykatës për ta pezulluar nga detyra dhe vendosur në arrest shtëpie.
Muça akuzohet se ka ndërhyrë në sistemin TIMS. Pak më parë ishte prokuroria që njoftoi masat e sigurisë, teksa AMP bën me dije se ekzekutoi vendimin e gjykatës. Mirëpo në njoftim duket se dekonspirohet prokuroria. Sipas AMP, ai është ndihmuar dhe nga persona të tjerë. Vetë prokuroria nuk e thotë këtë gjë.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasin E.M., me detyrë Drejtor i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë. Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi AMP.
Ndërkohë në lëvizje është vënë edhe Muhamet Rrumbullaku, i cili e ka pezulluar Muçën pas vendimit të gjykatës.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të pezullojë menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, E. M. Më datë 09.04.2024, Drejtori i Përgjithshëm është njohur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për këtë shtetas”, njofton policia.
Ndaj Ervin Muçës rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “hyrjes së paautorizuar kompjuterike”, pasi eksportoi bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje