TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Prill 2024, 19:38

A fshihet "Xibraka" pas lojërave me TIMS?

Shkruar nga Pamfleti
A fshihet "Xibraka" pas lojërave me TIMS?
Olsi Rama dhe Xibraka

Pse prokuroria e mori vetëm sot nën akuzë Ervin Muçën, i cili është denoncuar që disa muaj më parë?

Prokuroria e Tiranës është kujtuar pas 9 muajsh që të hapë dosjen e ndërhyrjeve në sistemin “TIMS”. Ditën e sotme u mor nën akuzë drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, pasi dyshohet se ky i fundit ka ndërhyrë në sistem.

Por pse u ndërhy te TIMS? U futën apo u hoqën të dhëna? Pse prokuroria e mori vetëm sot në akuzë Ervin Muçën, i cili është denoncuar që shumë muaj më parë, madje dhe nga vetë AMP?

Mos vallë e gjithë kjo lojë bëhet për “Xibrakën”. Gazmet Bardhi vetëm me një të dhëna të marrë nga TIMS trazoi politikën, pasi konfirmoi se makina e cila hynte dhe dilte në laboratorin e kokainës, përdorej nga vëllai i kryeministrit. A u tentua që të fshihen në TIMS këto të dhëna? Po ashtu pse prokuroria veproi tani? A mos po tentohet që në fund të thuhet që të dhënat u zhdukën dhe ta pësojë vetëm Ervin Muça? Por a do zbulohen ata që fshihen pas tij? Ndërhyrjet në TIMS dëshmuan paaftësinë e ministrave të Brendshëm Balla e Çuçi për të parandaluar një fenomen të tillë. Po ashtu dhe drejtësia duket se qëndroi në gjumë dhe sot ka marrë nën akuzë vetëm një individ, ndërkohë që sipas të dhënave, mund të kemi të bëjmë me një grup individësh të përfshirë.

Elementi tjetër është se sipas prokurorisë, Muça ka ndërhyrë për arsyet e veta. Mos vallë po mbulohet e vërteta?

Rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari”, shprehet prokuroria.

Si u ndërhy te TIMS

Ishte gazetari Ferdinad Dervishi, i cili falë një investigimi zbuloi se në TIMS ishte bërë batërdia.  Sipas shkrimit të tij në “Ina Media”, në datën 2 gusht 2023, në mesnatë, redaksive të disa mediave, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Sekret, SPAK, Kryeministrisë, iu dërgua një email alarmant, ku përshkruhej një tentativë e paligjshme për të ndërhyrë në të dhënat e sistemit TIMS të Policisë së Shtetit nga vetë drejtuesi i sapoemëruar i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, Ervin Muça.

Ndërhyrja zgjati pothuaj rreth 20 orë, kohë gjatë së cilës drejtuesit e Policisë së Shtetit, edhe pse të njoftuar, nuk reaguan.

Policia reagoi vetëm mëngjesin e datës 3 gusht. Rreth orës 10.00 të mëngjesit drejtori Muça kapet nga kolegët e hetimit, në veprim e sipër, duke kopjuar të dhënat e sistemit TIMS.

Hard-drive i përdorur për të marrë të dhënat bllokohet me cilësinë e provës, administrohen dëshmitë e të gjithë të implikuarve dhe dëshmitarëve, si dhe përmbajtja e kamerave që monitoronin ambientet.

Akuza zyrtare formulohet: “Shpërdorim detyre dhe hyrje e paautorizuar, kompjuterike”.

Dosja hetimore u dërgua më 8 gusht 2023 në Prokurorinë e Tiranës si kallëzim penal. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohuan për autorin e shkrimit se “është vetëm një person i kallëzuar, Ervin Muça, drejtori i Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit. Po hetohet në dy drejtime. Janë marrë në pyetje dhe do vijojnë të merren personazhet e përfshirë në këtë ngjarje. Sipas të dhënave paraprake, është evidentuar zhvillimi i një procedure backup (kopje), por ende nuk ka mbërritur akti zyrtar i ekspertimit nga laboratori i SPAK. Hetimi përfshin njëkohësisht edhe procedurën e emërimit të Ervin Muçës në postin e drejtorit të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit”.

I pari, që do të reagonte publikisht, më 23 gusht 2023, me anë të një opinioni në faqen e tij në LinkedIn, do të ishte i akuzuari kryesor për ngjarjen, Ervin Muça. Ai shkruante se, bashkë me ekipin e tij kishin dashur vetëm të bënin një backup (kopje rezervë) të materialeve të sistemit TIMS, për të siguruar data-bazën e të dhënave nga ndonjë sulm eventual, kibernetik. I kontaktuar nga INA Media, Ervin Muça nuk iu përgjigj pyetjes, nëse e kishte ndryshuar qëndrimin fillestar, që justifikonte ndërhyrjen në sistemin TIMS me kryerjen e procedurës “backup”.

Ekspertët e sigurisë kibernetike e rrëzojë alibinë e drejtorit Muça. “Backup të sistemeve kritike, sikurse TIMS, bëhen në mënyrë automatike, të përditshme. Këto sisteme monitorohen dhe çdo backup i parealizuar njofton të gjithë zinxhirin e menaxhimit. Sistemet, sikurse TIMS, nuk mund të ruhen në storage (hard disk ose USB) të jashtme”, – pohoi për INA Media-n Besmir Semanaj, ekspert i sigurisë kibernetike.

Në gjithë këtë histori pjesa më e rëndë është ajo e emërimeve në majën e kupolës së Policisë së Shtetit të anëtarëve të “ekipit të ri”, të cilët rezultojnë me të shkuar të errët, përfshirë edhe problemet penale.

Ervin Muça në dhjetor të vitit 2021 ishte marrë “nën hetim në gjendje të lirë” për skandalin e publikimit të të dhënave të pagave të qytetarëve shqiptarë.

Megjithëkëtë, ai u emërua nga Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, (me urdhër të Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi), në datën 27 qershor 2023, me nr. Prot. 1178/5, në postin e Drejtorit të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, duke kapërcyer e duke shkelur ligjet. Shkelja më e rëndë mban firmën e ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, sepse dokumenti nr. 83, datë 16.06.2023, i ministrit Çuçi për emërimin e Ervin Muçës është më i hershmi në kohë. Pra, fillimisht ministri ka urdhëruar emërimin e Ervin Muçës dhe më pas janë bërë gati të gjitha procedurat, nisur nga rregullimet ligjore.

Ervin Muça është prezantuar në detyrë dhe e ka nisur atë më 19 qershor 2023, saktësisht 3 ditë pas urdhrit ministror dhe 9 ditë përpara emërimit zyrtar.

“Ekipi i ri” i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, një pjesë e të cilit është përgjegjës për ndërhyrjen e datës 2 gusht 2023 në sistemin TIMS, vazhdon punën dhe paguhet me paratë tona, të taksapaguesve.

Sipas një konfirmimi të policisë për INA Media-n, Ervin Muça u pezullua më 3 gusht 2023 nga Komisioni Qendror i Apelimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë pas nisjes së hetimit për shkelje të rëndë, disiplinore. Por, më 8 gusht 2023, bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Komisioni Qendror i Apelimit ka bërë ndërprerjen e pezullimit, duke lejuar rikthimin e z. Muça në detyrë, me arsyetimin se “për të njëjtën çështje pritet një vendim-njoftim i zbatimit të ligjit nga Prokuroria e Tiranës”.

Ndërkohë që njerëzit, që deri asokohe mbanin disa pozicione kyçe, u hodhën në rrugë. Nevila Xoxen, Drejtoreshë e Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse (struktura pararendëse, që u ngrit në nivel departamenti), të cilën e larguan për ta zëvendësuar me Ervin Muçën, fillimisht e punësuan pranë Drejtorit të Përgjithshëm, por pas shpërthimit të skandalit të ndërhyrjes në sistemin TIMS, Xoxen e “internuan” tek Akademia e Sigurisë, nga ku u largua me dorëheqje më 8 nëntor 2023.

Në përgjigje të kërkesës zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk i sqaroi arsyet e largimit të Xoxes nga posti i Drejtoreshës së Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse. Përpara saj kishin dhënë dorëheqje e ishin larguar edhe katër punonjës të tjerë të këtij sektori, që të gjithë për shkak të presionit të ushtruar nga Drejtori i ri i Departamentit të IT, Ervin Muça.

Ardit Muçon, numrin dy të Departamentit të IT, i specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të njëjtin që guxoi të ngrinte alarmin e të lajmëronte eprorët për ngjarjen e datës 2 gusht 2023, e ulën në detyrë, duke e detyruar, më 1 shtator 2023, të dorëhiqej, pas 12 vitesh karrierë në këtë sektor.

Bruno Veizajn, Drejtor i Programimit, specialistin që ka ndërtuar shumicën e programeve të Policisë së Shtetit, e kanë ulur në një detyrë, ku, pas vetes, shikon vetëm pastruesen.

Hergis Jicën, Drejtor i Antikrimit Kibernetik, i specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ulën në detyrë në të njëjtin sektor, për ta zëvendësuar me Ervina Gjanën.

Përse duhej kopjuar TIMS?

Po përse duhej ndërmarrë risku i emërimeve të dyshimta në krye të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit dhe më tej në krye të Antikrimit Kibernetik, si strukturë që ka përgjegjësinë e hetimit të veprimeve të paligjshme në fushën kompjuterike? Përse duhej kopjuar data-baza e TIMS? Për ekspertët i gjithë ky “operacion” ka lidhje me kontrollin e informacioneve të policisë, veçanërisht të informacionit sekret të sistemit TIMS.

Besmir Semanaj, ekspert i sigurisë kibernetike, argumentonte se qëllimi mund të ketë qenë krejtësisht kriminal.

“Ekstraktimi i të dhënave në një USB apo hard drive të jashtëm është procesi i nxjerrjes selektive të të dhënave specifike nga një burim, shpesh për qëllime analize, raportimi ose migrimi (dërgimi diku tjetër). Por, në rastin tonë, nëse të dhënat janë kopjuar, qëllimi mund të ketë qenë për të pasur informacion të plotë për persona të caktuar, për t`i përdorur në vite sipas nevojave ose për të njoftuar persona të ndryshëm, që të ruhen dhe që të ndryshojnë qasje, nëse janë nën hetim, ashtu sikurse mund të përdoren edhe për shantazh”, – thotë Besmir Semanaj.

“Shantazhi mund të jetë një nga arsyet, informacione të tilla mund të ndikojnë te bota e biznesit, duke zbuluar me kë bashkëpunon ose me kë udhëton”, – shpjegon Gent Progni, një tjetër ekspert IT.

Të njëjtin mendim shqetësues ndau për INA Media-n edhe eksperti i njohur i kriminalistikës, Ervin Karamuço.

“Nxjerrja dhe transferimi i të dhënave të TIMS me gjasë ka patur për synim përdorimin e këtij materiali për qëllime të shantazheve individuale apo politike ndaj personave të caktuar, vendas ose të huaj, shitjen e këtyre të dhënave në tregun e zi, kombëtar ose ndërkombëtar, si dhe krijimin e një data-baze ilegale/paralele për qëllime të përpunimit të të dhënave ndaj personave të targetuar në mënyrë të paligjshme”, shprehej Karamuço.

“Ndërhyrja në sistemin TIMS mund të ketë lidhje edhe me kontrollin e informacioneve, që i shërbejnë hetimeve të SPAK në nivele të larta të politikës”, – përfundon ai.

Pra nëse i shohim të gjithë elementet, ngrihet pyetja: A u bë gjithë kjo lojë për të shpëtuar Olsi Ramën? /Pamfleti

Lini një Përgjigje