
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka refuzuar kërkesën e ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’.
Kërkesa u shqyrtua gjatë një seance me dyer të mbyllura, ku avokati mbrojtës paraqiti një kartelë mjekësore që tregonte se klienti i tij vuan nga disa probleme shëndetësore, përfshirë diabetin.
Pavarësisht kësaj, gjyqtari Bin Ndreca pasi u tërhoq për vendim, rrëzoi kërkesën, duke lënë në fuqi masën e arrestit për Rrjepajn, një nga të akuzuarit në çështjen e sterilizimit.
Ndërkohë, sot pritej të zhvillohej seanca për mbrojtjen e të pandehurve të veçuar nga Ilir Beqaj, por ajo u shty për shkak të mungesës së avokatëve Naile Ajazi dhe Arben Gjata. Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 21 janar, në orën 12:00.
Rrjepaj është një nga figurat kyçe të përfshira në skemën e koncesionit të sterilizimit, një nga aferat më të mëdha të shëndetësisë, për të cilën po hetohen një sërë zyrtarësh të lartë dhe ish-funksionarë publikë.
Lini një Përgjigje