TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Nëntor 2023, 16:03

Afera me “Sterilizimin", GJKKO lë në burg Klodian Rrjepajn dhe Ilir Rrapajn; Beqaj vijon bredh i lirë

Shkruar nga Pamfleti
Afera me “Sterilizimin", GJKKO lë në burg Klodian Rrjepajn
Arkitektët e koncesioneve në shëndetësi

Për SPAK, koncesioni i Sterilizimit është dhënë në mënyrë klienteliste dhe për këtë arsye bëri arrestimin e ish-zv/ministrit të asaj kohe dhe biznesmenin që mori koncesionin.

Nuk ka liri për ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të akuzuar për aferën me koncesionin e Sterilizimit. Ata kanë kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, por Gjykata e Posaçme i ka refuzuar, duke i lënë ata në qeli.

Për SPAK, koncesioni i Sterilizimit është dhënë në mënyrë klienteliste dhe për këtë arsye bëri arrestimin e ish-zv/ministrit të asaj kohe dhe biznesmenin që mori koncesionin. Por skandali është se vijon të jetë i lirë arkitekti i të gjithë kësaj afere, Ilir Beqaj. Ish-ministri ka firmosur në 4 raste për koncesionin në fjalë, por SPAK e amnistoi. Ishte gjykata që detyroi SPAK për të kryer hetime, por deri më tani SPAK nuk ka konkluduar me akuzë.  

GJKKO njofton se SPAK i është drejtuar Gjykatës me kërkesë me objekt: Informacion dy mujor mbi nevojat e sigurimit në kuadër të procedimit penal Nr. 13 të vitit 2020, për personat nën hetim K.R dhe I.R hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” si dhe për personat nën hetim M.S dhe S.K hetuar me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, caktuar me vendimin Nr. 49, datë 23.06.2023 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

"Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 246 pika 6 dhe 260 të K.Pr.Penale vendosi:

Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim K.R me vendimin Nr. 49, datë 23.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim I.R me vendimin Nr. 49, datë 23.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim M.S me vendimin Nr. 49, datë 23.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim S.K me vendimin Nr. 49, datë 23.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", tha njfton gjykata.

Roli i Beqajt

Në shkurt të vitit 2014, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu – sot ministre e Shëndetësisë, për të vënë në punë një qendër moderne sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.

Kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës.

Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.

Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.

“Nga analiza e të gjithë provave të para në unitetin e tyre, gjykata çmon se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,” arsyeton gjyqtari Bani, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.

Sipas dosjes, Beqaj ishte në dijeni të marrëdhënies së ngushtë miqësore mes zëvendësit të tij dhe Rrapajt si dhe të përfshirjes së këtij të fundit në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, që i hapi më pas rrugën fitores së tij.

Nga sekuestrimi i postës elektronike të Rrjepajt, hetuesit veçojnë dy emaile të dërguara nga Ilir Rrapaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.

“I dashur Fra'! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rrjepaj.

Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.

Gjithashtu brenda një jave në qershor 2014, Rrapaj dhe ortaku i tij Italian kanë ardhur në Tiranë dhe janë kthyer në Itali, ndërsa dy krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, Beqaj dhe Rrjepaj kanë udhëtuar gjithashtu drejt Italisë.

Më 15 qershor 2014, Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj janë kthyer së bashku në Tiranë nga Roma me të njëjtën linjë avioni.

“Vetëm një muaj pas udhëtimit me avion, Rrapaj krijon në Prishtinë shoqërinë Investital, e cila do të bëhej më pas fituese me 40% e koncesionit. Kjo kompani u themelua gjithashtu vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i Ministrit të Shëndetësisë “Për ngritjen e komisionit të dhënies së koncesionit” dhe ka pasur vetëm një të punësuar, Ilir Rrapajn,” thuhet në vendim.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime dhe udhëtime të përbashkëta të ministrit Beqaj me përfituesit pas dhënies së koncesionit, që sipas gjyqtarit Bani duhej të përbënin indicie për hetime të mëtejshme në drejtim të veprës penale të korrupsionit.

Më 25 shtator 2016, ish-ministri Beqaj dhe administratori i kompanisë koncesionare, Admir Daca kanë udhëtuar me të njëjtin avion të “Austrian Airlines” drejt Vienës, ndërsa më 23 maj 2017, Beqja dhe Rrjepaj janë kthyer në Shqipëri nga Roma me të njëjtin avion me Ilir Rrapajn dhe Umbro Staccini.

Udhëtimi i fundit në dosje është identifikuar më 13 mars 2018, kur Beqaj, Rrjepaj, Rrapaj dhe Staccini kthehen me të njëjtën makinë nga dogana e Morinit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Lini një Përgjigje