
SPAK ka lëshuar udhërarrest për biznesmenin Ilir Dedja, lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës. Mësohet se biznesmeni Ilir Dedja aktualisht jeton të Zvicër.
Ilir Dedja u bë i njohur në Shqipëri për shkak të kontratave prej qindra mijëra eurosh me kompanitë e inceneratorëve dhe një skandali në Zimbabve.
Në korrik të vitit 2018, Stela Gugallja dhe Ilir Dedja u paraqitën në një zyrë noterie në zonën e ish-Bllokut në qendër të Tiranës për të nënshkruar një kontratë me vlerë 500 mijë euro për shitjen e aksioneve të kompanisë C.G.C –një kompani me humbje, pa aktivitet dhe zero asete në bilancin e vet.
Planet e Dedjes në kohën që bleu kompaninë C.G.C nuk janë krejtësisht të njohura, por Prokuroria e Posaçme beson përmes një hetimi të saj se kontrata e blerjes së aksioneve nga Gugallja ishte fiktive.
Ndryshe ndodhi një vit më pas, kur Dedja i ktheu aksionet mbrapsht në këmbim të 600 mijë eurove, të cilat u dërguan përmes katër transfertave bankare në llogarinë e tij në Zvicër.
Kjo nuk ishte marrëveshja e vetme e biznesit mes Dedjes, 55 vjeç dhe administratorëve të aferës së inceneratorëve, që mundësoi transferimin e qindra mijëra eurove të taksapaguesve shqiptarë drejt juridiksionit offshore të Zvicrës.
Në vitin 2021, katër transferta të tjera me vlerë rreth 500 mijë euro u transferuan nga kompania Integrated Energy BV SPV e inceneratorit të Tiranës drejt kompanisë 3DDD Swiss Trading SA me seli në Lugano, gjithashtu e kontrolluar nga Dedja.
Transfertat bankare drejt parajsave fiskale përmes përdorimit të kontratave fiktive janë një ndër format klasike të pastrimit të parave në botë dhe në Shqipëri.
Kujtojmë se, SPAK ka lëshuar sot urdhërarreste edhe për disa të tjerë. Urdhërarreste janë lëshuar për: Denisa Tollkucin, Dashamir Ymeraj dhe shtetasin e identifikuar me inicialet E.H.
Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për tre shtetas të huaj, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar deri më tani.
Në Dhjetor të vitit 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës.
Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako.
Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit. Edhe 2 biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë nën hetim për inceneratorin e Tiranës, por që ende nuk është arritur të arrestohen.
Lini një Përgjigje