TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Janar 2026, 12:07

A mundet që detyrat e ministrit t’i delegohen zv.ministrit? Përfaqësuesi i Ramës-Kushtetueses: Jo, duhet ristrukturim qeverie

Shkruar nga Pamfleti
A mundet që detyrat e ministrit t’i delegohen zv.ministrit?
Herald Jonuzaj

Prej rreth dy orësh në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca e hapur lidhur me çështjen Balluku, ndërsa përfaqësues të Kryeministrisë dhe Kuvendit kërkojnë shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e zv.Kryeministres, duke e cilësuar si shkelje të kompetencave të një pushteti nga një tjetër.

Herald Jonuzaj, drejtor juridik pranë Kryeministrisë, theksoi argumentin e cënimit të punës së Këshillit të Ministrave prej pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut. Ai tha se kjo detyrë nuk mund të kalojë në kompetencën e zëvendësministrit.

Ai theksoi se për statusin e veçantë në marrëdhënie juridike nuk i referohet imunitetit, por rregullave procedurale që duhet të ndiqen në raste të caktuara. Gjithashtu, Jonuzaj theksoi se Këshilli i Ministrave nuk mundet të delegojë kompetencat e ministres brenda organit, pasi kjo do të ndryshonte plotësisht strukturën dhe do të duhej që Ministria të shkrihej.

Anëtarja e Kushtetueses: Po zëvendësministri ka mundësi të propozojë projektakte?

Herald Jonuzaj: Zëvendësministri nuk mund të propozojë akte në Këshillin e Ministrave, e ka të ndaluar. Aktet propozohen vetëm nga ministri.

Anëtarja e Kushtetueses: Nga momenti që Gjykata Kushtetuese hoqi masën e pezullimit të funksionit, sa projektakte janë propozuar nga ministrja përkatëse deri tani?

Herald Jonuzaj: Shifrën e saktë nuk e kam, por mund të kenë qenë mbi 50, nga momenti i heqjes së pezullimit.

Anëtarja e Kushtetueses: A mund të merret një vendim për të deleguar kompetencat e ministres tek një organ tjetër brenda Këshillit të Ministrave?

Herald Jonuzaj: Këshilli i Ministrave nuk mund të delegojë kompetencat e një ministri te një tjetër, por duhet që portofoli i asaj ministrie, por duhet që portofoli i asaj ministrie të kalojë te një ministri tjetër, pra të ketë një ristrukturim të të gjithë Këshillit të Ministrave ose të marrë kryeministri portofolin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë që de facto do të sillte shkarkimin e ministrit.

Anëtarja e Kushtetueses: Edhe pse kjo mund të bëhej me përcaktimin përkohësisht që nuk nënkupton shkarkimin?

Herald Jonuzaj: Nuk mund të bëhet përkohësisht sepse ministria funksionon me ministër, me titullar. Titullari propozon aktet në Këshillin e Ministrave. Duhet të ndryshojë gjithë struktura për përbërjen e Këshillit të Ministrave duke shkrirë një ministri me një tjetër ose duke puthitur portofolin e ministrisë, siç ndodhi në vitin 2019 kur kryeministri mori edhe portofolin e ministrit të jashtëm. Për këtë u dekretua te presidenti dhe u miratua në kuvend.

balluku kushtetuese seanca

Lini një Përgjigje