
368 milionë euro është ndihma që do të jepet nga Bashkimi Europian dhe një sërë institucionesh të tjera financiare, për rehabilitimin e hekurudhës Vorë -Hani i Hotit.
Pritet që punimet të nisin në vitin 2025, ndërkohë që këtë vit do të zhvillohen procedurat përkatëse të prokurimeve.
Në projektin e ri është parashikuar zgjerimi i trasesë dhe ndërtimi i 12 urave të reja për të akomoduar vagonët e rinj elektrik dhe siguruar shpejtësi maksimale deri në 120km/h.
“Kjo linjë prej 120 kilometrash është e vetmja linjë hekurudhore që mundëson transport ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve të vendit me malin e zi. Dhe Shqipëria me malin e zi lidhen nëpërmjet stacionit të Tuzit për të vazhduar më pas në Podgoricë dhe me vendet e tjera të rajonit, Beograd, Zagrebi, Ljubjana deri në Budapest”, tha Erjola Muka, Drejtoreshë e Politika dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit.
Në fundin e këtij viti pritet dhe përfundimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës me degëzim në aeroportin e Rinasit që do të ndërlidhet me atë të Vorë-Hani i hotit.
“Rrjeti hekurudhor shqiptar nis me Durrësin që konsiderohet kilometri zero. Më pas është plotësuese e projekteve të tjera, të cilat pritet të fillojnë. Përveç këtij projekti është përfituar dhe projekti I linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, e cila është pjesë e Korridorit 8. Ndërkohë është ende në proces studimi fizibiliteti dhe dizajni pjesa tjetër e korridorit 8-të Rrogozhinë-Pogradec deri në kufi me Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Muka në një intervistë për Top Channel.
Lini një Përgjigje