
Skuadra e Liverpulit është përballur me një goditje të rëndë, pasi sulmuesi Hugo Ekitike ka pësuar një dëmtim serioz që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth nëntë muaj.
Sipas raportimeve, futbollisti 23-vjeçar ka këputur tendinën e Akilit në këmbën e djathtë gjatë ndeshjes së kthimit në çerekfinalet e Champions League kundër PSG-së.
Ekitike u detyrua të largohej nga fusha me barelë në pjesën e parë të sfidës, e cila përfundoi me humbjen 2-0 të Liverpulit. Ky rezultat vulosi eliminimin e “The Reds” me rezultatin e përgjithshëm 4-0.
Dëmtimi i tij solli aktivizimin e parakohshëm të Mohamed Salah gjatë ndeshjes.
Dëmtimi i rëndë i jep fund sezonit aktual për sulmuesin francez. Po ashtu, ai pritet të mungojë edhe në Botërorin e kësaj vere me përfaqësuesen e Francës.
Ekitike, i transferuar verën e kaluar për rreth 69 milionë paund, rrezikon të humbasë edhe një pjesë të konsiderueshme të sezonit të ardhshëm.
Mungesa e tij përbën një humbje të ndjeshme si për Liverpulin, ashtu edhe për kombëtaren franceze, duke reduktuar opsionet në repartin ofensiv për të dyja skuadrat.
Lini një Përgjigje