
Granit Xhaka ka pohuar se Arsenali nuk e ka respektuar dhe se donte ta hiqte qafe përpara largimit të tij nga klubi.
Mesfushori zviceran u largua nga “Emirates Stadium” për t’iu bashkuar Bajer Leverkusen në një marrëveshje prej 21.5 milionë sterlina në verë pas një periudhe 7-vjeçare në Londër.
Në 297 ndeshje për Arsenalin, ai shënoi 23 gola dhe dha 29 asiste, duke fituar dy FA Cup. Ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit për një periudhë të shkurtër në vitin 2019.
Por tani duket se marrëdhënia e tij me klubin është prishur, megjithëse ai shpejtoi ta përjashtonte trajnerin Mikel Arteta nga ata që ai pretendon se e donin atë jashtë klubit.
Duke folur për “The Athletic”, ai tha: “Arsenali tregoi pak respekt edhe pse unë isha kapiten. Ishte e qartë se ata donin të më hiqnin qafe – përveç një personi: Artetës”.
Xhaka zbuloi gjithashtu bisedën që ka pasur me Mikel Artetën në vitin 2019 kur fillimisht kishte vendosur të largohej nga klubi.
Tifozët e Arsenalit u kthyen kundër mesfushorit gjatë barazimit 2-2 me Kristal Palas, teksa fërshëllyen kapitenin e tyre.
Por me Xhakën në prag të lamtumirës, Arteta e bindi të qendronte.
Ai shtoi: “Kur e takova për herë të parë, çantat e mia ishin të mbushura tashmë dhe isha gati të merrja avionin. Me zemër dhe shpirt, tashmë isha larguar nga klubi.
“Unë i thashë: ‘Zgjidhja është që unë të iki’. Mikel më tha se donte që unë të qendroja. Por nuk isha i sigurt. Mbaj mend që fola me babanë tim në atë kohë.
“Ai më tha, ‘Ikim’. Për herë të parë, ai më tha të ikja. Ai tha se nuk kishte të ardhme për mua tek Arsenali.
“Nuk mund ta imagjinoja veten duke luajtur përsëri për Arsenalin. I thashë atij (Artetës), ‘Unë thjesht dua të jem diku ku tifozët të mos më shajnë’.
“Por ai ishte kaq bindës. Për herë të parë në jetën time, mora një vendim pa folur më parë me familjen time. U ngrita dhe thashë, “OK, do të qendroj”.
“Ne u përqafuam dhe që nga ajo ditë u ktheva në stërvitje dhe më dukej sikur asgjë nuk kishte ndodhur”.
Xhaka iu bashkua gjermanëve të Bajer Leverkusen në këtë merkato vere.
“Aspirinat” kryesojnë Bundesligën nën drejtimin e Çabi Alonsos, duke kryesuar kampionatin me katër pikë avantazh ndaj kampionëve në fuqi të Gjermanisë, Bajernit të Mynihut.
Xhaka ka luajtur titullar 15 ndeshjet e luajtura nga Leverkuseni deri tani në kampionat.
Lini një Përgjigje