
Maks Vershtapen fitoi garën e tij të 17 të këtij sezoni, teksa holandezi i Red Bullit nuk duket se ka ndalur ritmin, ndonëse është shpallur prej kohësh Kampion Bote në Formula 1. Sot ai ka triumfuar edhe në pistën e Interlagos në Brazil, duke vazhduar dominimin absolut siç kishte bërë një ditë më parë edhe në garën sprint.
Vershtapen kishte pak shqetësime vetëm në 10 xhirot e para, derisa ia doli të krijonte diferencën nga Landon Norris, i cili e mbylli në vendin e dytë garën e sotme, duke treguar progresin që ka bërë skuadra e MekLaren.
Vendi i tretë i shkoi Fernando Alonsos, i cili preu finishin pak të qindtat para Perez me makinën tjetër Red Bull.
Stroll, Sainz, Gasli, Hemilton, Tsunoda dhe Okon ishin ata që përfunduan në zonën e pikëve në një garë, e cila u ndal pa filluar mirë nga aksidentet e njëpasnjëshme. Fillimisht ishte Lëklerk, i cili u përplas që në xhiron e formatimit, e më pas ishin Magnuson e Albon që u përplasën në kthesën e parë, duke shtyrë vijimin normal të garës derisa u pastrua pista.

Lini një Përgjigje