TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Janar 2026, 20:38

Vazhdon kriza te Liverpuli, të kuqtë mposhten në fund nga Bërnmuth dhe janë përfundimisht jashtë luftës për titull

Shkruar nga Pamfleti

Vazhdon kriza te Liverpuli, të kuqtë mposhten në fund nga

Vazhdon periudha e krizës në Premier Ligë për Liverpulin. Pas 4 barazimeve radhazi, sot kampionët e Anglisë janë mposhtur 3-2 nga Bërnmuthi, në sfidën e luajtur në “Vitality Stadium”, e vlefshme për javën e 23 të Premier Ligës. Vendasit e drejtuar nga Andoni Iraola shënuan dy gola të shpejtë brenda pjesës së parë. Pas një topi të gjatë të marrë nga mesfusha dhe asistit të Aleks Skot, ishte braziliani Evanislon që mposhti patriotin e tij, Alison.

Në minutën e 33 ishte Aleks Himenez që dyfishoi shifrat për Bërnmuthin, pas asistit të Xhejms Hill.

Reagimi i të kuqve erdhi në fund të pjesës së parë, Dominik Shoboslai krosoi nga këndi, Virxhil van Dajk shënoi me kokë. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për Bërnmuthin.

Barazimi erdhi në minutën e 80, ku Dominik Shoboslai ekzekutoi në mënyrë perfekte goditjen e dënimit, duke dërguar topin në rrjetë.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e fitores së madhe në minutën e fundit shtesë me Amin Adli, i cili shënoi pas një topi të ardhur në zonë nga një rivënie e gjatë anësore.

Rezultati final 3-2. Liverpuli mbetet momentalisht në vendin e 4 me 36 pikë, ndërsa Bërnmuthi në vendin e 13. Ekipi i drejtuar nga Arne Slot është shumë larg vendit të parë që mbahet nga Arsenali dhe mund të thuhet se përfundimisht është jashtë garës për titull këtë sezon. Objektivi tani mbetet kualifikimi për në Champions League dhe vëmendja kryesore do të jetë pikërisht në këtë kompeticion, ku është ende në garë.

bërnmuth liverpul premier liga

Lini një Përgjigje