
U zhvilluan sot dy ndeshjet e dyta të turneut ndërkombëtar “UEFA Development U-16” për djem, që po të zhvillohet në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë turne marrin pjesë Shqipëria, Moldavia, Azerbajxhani dhe Ishujt Faroe, ndërsa të gjitha ndeshjet luhen në fushat e Shtëpisë së Futbollit.
Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku u përballë këtë herë me Azerbajxhanin në një duel mjaft të fortë, duke arritur të triumfojë me rezultatin 1-0.
Trajneri Ervin Bulku i besoi thuajse të njëjtit formacioni titullar ashtu si në ndeshjen e parë me Moldavinë, duke hedhur në fushë këtë 11-she: Leonard Kolgecaj (GK), Kleo Shpuza, Erigestino Pepnikaj, Renato Halili, Jetmir Laze (c), Xheto Joi Nuredini, Tedi Malaj, Ergis Arifi, Oresti Rifa, Rinaldo Nela, Ernesto Marqeshi.
Ndeshja ka qenë mjaft e luftuar, ndërsa Azerbajxhani është shfaqur në fushë një ekip mjaft i disiplinuar taktikisht dhe shumë i fortë. Gjithsesi, kuqezinjtë nga ana tjetër kanë bërë gjithashtu një paraqitje mjaft të mirë dhe kanë vënë në vështirësi kundërshtarin disa herë gjatë pjesës së parë.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 37 pas një këmbënguljeje të gjatë të Shqipërisë, me Rifën që fitoi një top në sulm pas një gabimi të kundërshtarëve dhe arriti të shërbente bukur për Tedi Malajn me sulmuesin që finalizoi mjaft bukur duke tronditur rrjetën.
Goli motivoi kombëtaren shqiptare që edhe në pjesën e dytë luajti mirë dhe sulmoi herë pas here në kërkim të golit të dytë. Edhe Azerbajxhani u përpoq të reagonte, por kuqezinjtë u mbrojtën mirë dhe nuk rrezikuan. Në pjesën e dytë tekniku Bulku hodhi në fushë edhe lojtarë si Emiljano Mihana, Samuel Xhafkollari, Murselo Dervishi, Kian Ramadani, Eraldo Karaj dhe Enea Elmazi me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund dhe Shqipëria U-16 mori fitoren e dytë në turneun UEFA Development U-16. Në takimin e parë, Shqipëria U-16 triumfoi ndaj Moldavisë me rezultatin 3-0.
Ndeshja tjetër e luajtur po sot mes Ishujve Faroe dhe Moldavisë e luajtur po në fushën e Shtëpisë së Futbollit përfundoi me fitoren 3-1 të kombëtares moldave, që bëri një paraqitje të mirë dhe arriti të siguronte tre pikët e parë në këtë grup. Sakaq, ndeshjet e treta dhe të fundit të grupit do të zhvillohen ditën e diel.
Lini një Përgjigje