TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Maj 2024, 17:18

U thirr nga Silvinjo për Kampionatin Europian, superkampioni i Kroacisë i krijon halle luksi teknikut brazilian

Shkruar nga Pamfleti

U thirr nga Silvinjo për Kampionatin Europian, superkampioni i

Arbër Hoxha është një nga lojtarët e ftuar në Kombëtaren shqiptare nga trajneri Silvinjo, në listën paraprake të “EURO 2024”.

Një lojtar mjaft cilësor dhe teknik, i cili karakterizohet me driblimet e tij që shpeshherë e dërgojnë deri te goli. Diçka të tillë e ka vërtetuar edhe këtë sezon në kampionatin kroat, ku gjysmën e sezonit ishte pjesë e Slaven Belupo, ndërsa më pas u bashkua me Dinamon e Zagrebit.

Në 42 ndeshje të sezonit që sapo lamë pas, Arbër Hoxha ka shënuar 7 gola dhe ka asistuar në 4 të tjerë. 5 gola i ka shënuar në kampionat, 1 në Kupë dhe 1 në Ligën e Konferencës. Gjithashtu, Arbër Hoxha është “SUPERKAMPION” i Kroacisë, duke fituar edhe titullin kampion edhe Kupën me Dinamon e Zagrebit.

Statistika mjaft pozitive, të cilat i ranë në sy edhe Silvinjos, me brazilianin që për herë të parë e grumbulloi në miqësoret e marsit përballë Kilit dhe Suedisë. Teksa për Europianin, tekniku brazilian mori vendimin për të bërë pjesë edhe Arbër Hoxhën, duke “blinduar” krahun e majtë të sulmit, por duke i shtuar vetes edhe disa halle.

Sigurisht që janë halle luksi, pasi tashmë përveç Seferit, një alternativë e një niveli të lartë që mund të fitojë edhe vendin e titullarit është pikërisht Arbër Hoxha. 25-vjeçari është gati të përfitojë nga kjo ftesë dhe ky kompeticion madhor, duke kontribuar për Kombëtaren dhe për të treguar vlerat e tij të vërteta.

arbër hoxha sulmuesi shqiptar

Lini një Përgjigje