
Granit Xhaka doli i 16 në garën për “Topin e Artë” 2024, u votua nga dy shtete në tri vendet e para, por nuk mori asnjë pikë nga Zvicra, vendi të cilin e përfaqëson me krenari ndër vite.
Daniel Visentini, i cili u lejua të votonte si juri për “Tribune de Geneve”, preferoi të mbështetet te Vinisius Zhunior, Rodri, Belingam, Carvahal, Martinez, Foden, Haland, Jamal, Mbape dhe Kejn, duke mos e votuar fare Xhakën.
Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, Visentini ka treguar se pse nuk i dha asnjë pikë futbollistit me origjinë shqiptare.
Duke i numëruar sukseset e futbollistit Xhaka, i cili siguroi titullin kampion historik me Bajer Leverkusen dhe Superkupën e Gjermanisë, finalen e Ligës së Europës dhe shkëlqeu me fanelën e Zvicrës në “EURO 2024”, duke qenë dy herë edhe më i miri i ndeshjes, pyetja jonë ishte direkte: Pse nuk i dhatë asnjë pikë Granit Xhakës në votimin për ‘Topin e Artë’?
Visentini zgjodhi të përgjigjej në këtë mënyrë: "Granit Xhaka ishte shumë afër për të qenë në listën time të top 10, sigurisht. Por ai nuk ishte i vetmi që meritonte pikë, pavarësisht gjithçkaje që bëri sezonin e kaluar".
Duket të jetë një përgjigje më shumë diplomatike dhe ndoshta jashtë pritshmërive të një gazetari që përfaqëson futbollin zviceran në një organizim të tillë, sepse në fund të fundit, nga votimet e shteteve të tjera është dëshmuar se sa rëndësi kanë pasur votat nga shtetet respektive të kandidatëve të tjerë.
Lini një Përgjigje