
Mundësi Islam Dudaev është shpallur sot në mbrëmje kampion i Europës në peshën 65 kg, në stilin e lirë, në Europianin që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë. Në finale, ai mundi me rezultatin 2-1 rusin Gadzhimurad Rashidov, në një sfidë të fortë dhe me shumë rivalitet.
Një paraqitje e shkëlqyer e mundësit me origjinë ruse, por që prej disa vitesh garon për Shqipërinë, që në këtë turne arriti t’i fitojë të gjitha sfidat. Ai e kishte siguruar që dje zonën e medaljeve, pas kalimit në finale, por sot ai shkëlqeu sërish, duke marrë atë të artë.
Dueli i sotëm ndaj rusit Rashidov, që garonte si neutral, ishte mjaft i fortë. Dudaev kaloi i pari në epërsi, por rusi barazoi. Gjithsesi, Dudaev arriti të dilte sërish në avantazh 2-1 dhe e mbrojti atë deri në fund. Në fund, mundësi kuqezi, arrin t’i rezistonte sulmeve të rivalit dhe më pas nisi festën me flamurin kuqezi.
Në Europian, Dudaev arriti 5 fitore, ku përveç asaj të sotme, ai dje shkëlqeu në 4 duele. Në sfidën kualifikuese, mundësi kuqezi fitoi 6-3 ndaj turkut Abdullah Toprak. Në fazën tjetër, Dudaev mposhti me rezultatin 8-1 mundësin rumun Stafan Ionut Koman, duke shkuar në çerekfinale, ku sërish nuk u ndal.
Në këtë sfidë, Dudaev mposhti 4-0 francezin Arsam Erzouev, duke dominuar në tapet. Dudaev nuk u ndal këtu dhe arriti të bëjë një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke mundur 3-1 në gjysmëfinale rivalin nga Azerbajxhani, Ali Rahuimzada.
Lini një Përgjigje