
Milani dhe Interi janë ndarë në barazimi 1-1 në derbin e luajtur sot në Serinë A, në një ndeshje dramatike mes dy skuadrave.
Interi e nisi më mirë lojën, duke shënuar që në fillim të lojës me mbrojtësin Federiko Di Marko, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 33, Interi guxoi dhe shënoi sërish me Lautaro Martinez, por sërish gjatë aksionit u vu re se goli nuk ishte i rregullt.
Zikaltrit ishin ata të cilët dominuan sfidën, duke kërkuar më shumë golin, teksa panë t’u anuloheshin dy të tillë në pjesën e parë.
Reijnders ishte autori i golit të vetëm të takimit, shënuar në sekondat e fundit të pjesës së parë. Zikaltrit u përpoqën në maksimum për të barazuar Milanin, por ishin të pafat.
Në pjesën e dytë ishte e njëjta tablo, me Interin kërkues që pa t’i anulohej një tjetër gol, ndërsa me radhë goditi shtyllën me Bisek, Turam e Dumfris.
Fundi ishte gjysmë i kënaqshëm për ta, gjithsesi, kur edhe fati u buzëqeshi. De Vraj shënoi golin e barazimit në sekondat e fundit të takimit, duke marrë një pikë që vlen shumë në Serinë A.
Ky barazim e mban ekipin zikaltër në vendin e dytë me dy pikë larg Napolit kryesues, ndërsa Milanin në vendin e tetë të renditjes me 5 pikë larg zonës Champions.
Lini një Përgjigje