Kosova dhe Turqia do të përballen të martën për një biletë në Kupën e Botës në SHBA.
Trajneri i njohur turk, Hikmet Karaman i cili ka përvojë të gjatë në drejtimin e skuadrave turke, ka lavdëruar Kosovën për ndeshjen ndaj Sllovakisë, por edhe për grupin që kaloi ku ishte me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.
"Të dyja skuadrat luajtën një ndeshje të hapur dhe me ritëm të shpejtë, duke rezultuar në një ndeshje me shumë gola. Në atë ndeshje, Kosova na tregoi se kur e ka topin në zotërim, pason mirë, nis kundërsulme të shpejta dhe është efektive me krosime dhe tranzicione. Prandaj, taktikat për ndeshjen kundër Kosovës nuk do të jenë të njëjta. Trajneri i tyre, Franco Foda, është gjithashtu një menaxher jashtëzakonisht i mirë dhe me përvojë", tha ai për Hurryiet .
Karaman tutje ka thënë se për ta mposhtur Kosovën, Turqisë i duhet të luajë më mirë se ndaj Rumanisë dhe më mirë se edhe në pjesën e dytë ndaj Spanjës.
"Kosova është një ekip i fortë. Ata luajnë me formacion 5-4-1, por mund të kalojnë në 3-4-2-1 gjatë një ndeshjeje. Ata janë shumë të suksesshëm në rikthimin e topit, mesfushorët e tyre janë të gjithanshëm dhe shumë krijues. Ata janë një ekip që mund të kalojë shumë mirë në tranzicion dhe nën presion. Po, ne kemi yje të rëndësishëm, kryesisht Arda Güler, Kenan Yıldız dhe liderin e ekipit Hakan Çalhanoglu. Por ne po përballemi me një ekip që është shumë efektiv në goditjet standarde dhe në sulm. Trajneri ynë patjetër do të shqyrtojë një taktikë të ndryshme", vazhdoi tutje Karaman.
Ai ka zbuluar se të gjithë e kërkonin Kosovën në Turqi,por pas ndeshjes me Sllovakinë të gjithë thonë pse nuk erdhi Sllovakia.
"Para ndeshjes Sllovaki-Kosovë, të gjithë thoshin 'Shpresoj që Sllovakia të mos vijë', por pasi e panë ndeshjen, thonë 'Do të doja që Sllovakia të kishte ardhur'. Kosova është vërtet një ekip fantastik. Mesfusha dhe mbrojtja jonë qendrore duhet të luajnë shumë mirë. Duhet të luajmë me gabime minimale, përfshirë edhe portierin tonë", tha ai.
Lini një Përgjigje