
Teksa afrohet ndeshja e shumëpritur mes Polonisë dhe Shqipërisë, skuadra polake përballet me një zhvillim të papritur që mund të ndikojë në përgatitjet e saj. Portieri titullar, Lukas Skorupski, ka pësuar një dëmtim me klubin e tij, Bolonjën, duke vënë në dyshim serioz pjesëmarrjen e tij në këtë përballje.
Sipas gjasave, trajneri Urban mund të mos e ketë në dispozicion gardianin kryesor, çka hap një çështje të ndjeshme për zëvendësimin në portë.
Dy emrat më të përfolur për të marrë rolin e titullarit janë Kamil Grabara dhe Bartlomiej Dragovski. Grabara, aktualisht pjesë e Volfsburgut në Bundesligë, konsiderohet një opsion i mundshëm, por eksperienca e tij me përfaqësuesen është e kufizuar, me vetëm tre ndeshje të zhvilluara.
Nga ana tjetër, Dragovski, që aktivizohet me Uidzju Lodz, skuadër ku luan edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare Julian Shehu, paraqitet si alternativë tjetër. Megjithatë, edhe ai ka pak aktivizime me Poloninë, vetëm katër ndeshje, duke shtuar pasiguritë për zgjedhjen përfundimtare.
Mungesa e mundshme e Skorupskit dhe mungesa e përvojës ndërkombëtare e alternativave krijojnë një situatë të paqartë për Poloninë në prag të ndeshjes me Shqipërinë. Vendimi i stafit teknik pritet të jetë vendimtar për balancat në këtë përballje.
Lini një Përgjigje