
Adrian Bajrami nuk është përfshirë në listën e publikuar nga përfaqësuesja e Zvicrës për ndeshjet e muajit mars, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në ekipin kombëtar.
23-vjeçari kishte vendosur në vitin 2025 të refuzonte një ftesë nga Shqipëria, në funksion të ndryshimit të përfaqësueses. Kalimi i tij te Zvicra u konsiderua i bujshëm, ndërsa ftesën e parë e mori për ndeshjet e tetorit dhe nëntorit. Bajrami debutoi më 13 tetor në sfidën ndaj Sllovenisë.
Në listën më të fundit të Zvicrës, e cila përfshin dy ndeshje të rëndësishme kundër Gjermanisë dhe Norvegjisë, emri i tij mungon. Ndërkohë, pjesë e skuadrës janë emra të njohur si Ardon Jashari dhe Granit Xhaka.
Mungesa e Bajramit në këtë grumbullim mund të ndikojë negativisht në shanset e tij për të qenë pjesë e skuadrës në kompeticionet e ardhshme ndërkombëtare, përfshirë edhe Kupën e Botës.
Aktualisht, Bajrami aktivizohet me Luzernin në Zvicër, klub që e bleu kartonin e tij nga Benfika për rreth 900 mijë euro në janar. Në ekipin e tij ai konsiderohet titullar i padiskutueshëm, çka e bën mungesën në përfaqësuese edhe më të diskutueshme.

Lini një Përgjigje