
Vllaznia ka marrë fitoren e radhës në kampionat, teksa triumfoi 1-0 me Kukësin (Loro Boriçi). Sfida u zhbllokua shumë shpejt, që në minutën e parë. Gruda dërgoi topin pas shpinës së Tafas, duke ndezur atmosferën në shkallët e stafiumit.
Verilindorët u përpoqën që të reagojnë dhe fituan penallti në minutën e 38-të, pas një prekje me dorë të Pusit. Fillimisht gjithçka u konsiderua e rregullt, por pas rishikimit me VAR, arbitri Alla kuptoi se ishte 11-metërsh. Nga pika e bardhë u nis Rashiti, i cili provoi me një “Panenka”, por dështoi.
Në pjesën e dytë, loja u bë edhe më interesante, me të dy skuadrat që ende kishin për të prodhuar për këtë sfidë. Në minutën e 72-të, portieri Tafas i mohoi golin Grudës, duke mbajtur kështu në lojë Kukësin. Vllaznia renditet në vendin e katërt me 29 pikë, Kukësi renditet në vendin e nëntë me 19 pikë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër Laçi dhe Erzeni kanë barazuar pa gola me njëri-tjetrin në sfidën e vlefshme për javën e 19-të të “Abissnet Superiore”.
Të dyja skuadrat e nisën mirë dhe me raste takimin, pasi nevoja për pikë ishte e dukshme, teksa kurbinasit gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 23’ me Myrtën, por VAR-i i prishi festën.
Në pjesën e dytë rastet ishin më të pakta, por gjërat u bënë më të vështira për vendasit, kur në minutën e 59’ ngelën me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Da Silvës.
Kështu të dyja skuadrat shkojnë në kuotën e 22 pikëve, Laçi në vendin e gjashtë dhe Erzeni në vendin e tetë, duke vazhduar të jenë në garë për mbijetesë.
Lini një Përgjigje