TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Nëntor 2023, 20:45

Starton ndeshja Shqipëri-Ishujt Faroe/ Sforcoja e fundit për të ruajtur kreun, tifozët përgatisin surprizën e madhe për kombëtaren shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Starton ndeshja Shqipëri-Ishujt Faroe/ Sforcoja e fundit për të

Starton ndeshja e fundit e fazës kualifikuese të “EURO 2024” mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, që do të luhet në “Air Albania”. Pas arritjes së kualifikimit në Moldavi, natyrisht që ndeshja e mbrëmjes së sotme ndaj Ishujve Faroe do të kthehet në festë. Objektivi është vendi i parë në grup në një fushatë kualifikuese, renditje që Shqipëria nuk e ka arritur ndonjëherë në historinë e saj, madje në kualifikimin e 2016, kuqezinjtë u renditën të dytët në grup me 14 pikë në total.

Për të arritur një gjë të tillë, Shqipërisë i mjafton një pikë ndaj ishullorëve dhe përveç kësaj, do të thyente edhe rekordin e pikëve në një fushatë kualifikuese të Europianit.

Gjithashtu, ekipi kombëtar nuk ka arritur të marrë 5 fitore në një grup kualifikues të Europianit dhe me një fitore mund të vendosë një tjetër rekord.

Ka shumë arsye për ta kthyer në festë, duke ruajtur edhe këtë ecuri pozitive që Silvinjo po kalon, ku pas humbjes në Poloni, e cila ishte e vetmja për të, janë bërë 7 ndeshje radhazi që Kombëtarja shqiptare nuk pëson humbje.

Ka shumë arsye për ta kthyer në festë, ku një mbyllje me një rezultat pozitiv do të ishte “qershia mbi tortë” për të gjithë tifozët. Gjatë ndeshjes së sotme, në stadium do të performojë edhe këngëtarja Juliana Pasha me disa këngë patriotike dhe Ansambli Kombëtar.

Tifozët e Kombëtares po përgatiten për festën e madhe dhe me shumë mundësi, do ketë një flamur gjigand që do shpaloset në “Air Albania”. Të paktën, kjo është ajo që kuptohet nga postimet e tifozëve në rrjetet sociale!

Konfigurimi i vazove do të bëhet në fund të këtyre kualifikuesve, por e sigurt është që Shqipëria nuk do të jetë në vazon e parë, aty e kanë të sigurt prezencën vetëm 5 përfaqësuese, Gjermania, Portugalia, Franca, Spanja dhe Belgjika.

Në lidhje me Shqipërinë, në letër gjithmonë, kuqezinjtë mund të përfundojnë në vazon e dytë, të tretë dhe të katërt, por kjo e fundit do të ndodhte vetëm në rastin nëse humbasim kundër Ishujve Faroe, e kombinuar gjithashtu edhe me rezultatet e përfaqësueseve të tjera, praktikisht është e pamundur të përfundojë në vazon e katërt, diskutimi mbetet i hapur për vazon e dytë dhe të tretë.

 

shqipëria ishujt faroe kualifikueset e "euro 2024"

Lini një Përgjigje