TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Shtator 2024, 20:46

Starton ndeshja në “Air Albania”, Shqipëria për të ruajtur pathyeshmërinë në fortesën e saj, Gjeorgjia për kreun e grupit

Shkruar nga Pamfleti

Starton ndeshja në “Air Albania”, Shqipëria për

Starton në “Air Albania” ndeshja mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Një sfidë mjaft e fortë dhe që pritet të jetë e vështirë dhe interesante, por “Air Albania” është kthyer në një fortesë për kuqezinjtë të cilët nuk njohin humbje që prej nëntorit të vitin 2022, kur Italia na mposhti 1-3.

Që prej asaj kohe, Shqipëria ka fituar kundër Armenisë, Moldavisë, Polonisë, Çekisë dhe Bullgarisë. Në këtë mënyrë, “Air Albania” është kthyer në një ogur të mirë për ‘djemtë’ e Silvinjos, të cilët edhe me mbështetjen e tifozëve shpresojnë te fitorja.

Në historinë e dy kombëtareve, Shqipëria dhe Gjeorgjia kanë zhvilluar 15 ndeshje ndaj njëra-tjetrës në të gjitha garat, përfshirë edhe miqësoret.

Gjeorgjia ka 8 fitore, Shqipëria tre, ndërsa katër ndeshje janë mbyllur në barazim.

Ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve daton në vitin 1994, në kuadër të kualifikimeve për “EURO 1996”, ndeshje të cilën Gjeorgjia e fitoi me rezultatin 1-0 si mysafire.

Duhej të kalonin katër vjet dhe tri ndeshje tjera që Shqipëria të arrinte fitoren e parë. Edhe ajo ndeshje luhej në kuadër të kualifikimeve për Europianin e vitit 2000.

Fitoren e fundit ndaj kundërshtarit të sotëm, Shqipëria e ka arritur në vitin 2005, me duelin që zhvillohej për kualifikimet e Botërorit 2006. “Kuqezinjtë” triumfonin 3-2 si vendas.

Gjatë këtyre ndeshjeve, Gjeorgjia ka shënuar 23 gola ndaj Shqipërisë, me këtë të fundit që ka dhjetë më pak.

Golashënuesi më i mirë i historisë së kësaj përballje është gjeorgjiani, Shota Arveladze me 6 gola. I dyti është Igli Tare me 3 gola.

Vlera e Shqipërisë për momentin kap shifrën e 104.8 milionë eurove, teksa ajo e Gjeorgjisë mbi 177 milionë euro.

Shqipëria zë vendin e 66 në renditjen e FIFA-s. Gjeorgjia gjendet katër vende më poshtë, në të 70-tin.

Lojtari më i vlefshëm i Shqipërisë në këtë grumbullim është Kristjan Asllani i Interit me 18 milionë euro, ndërsa në përgjithësi është Armando Broja me 22 milionë, i cili mungon për shkak të dëmtimit.

Te Gjeorgjia, lojtari më i vlefshëm ka një shifër goxha të madhe në krahasim me atë të Shqipërisë.

Kviça Kvaratskhelia vlerësohet me 80 milionë euro nga “TransferMarkt”, teksa i dyti është portieri i Liverpulit (i huazuar te Valencia), Giorgio Mamardashvili me 45 milionë euro.

Gjeorgjia siguroi kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi edicionin e kaluar siguroi vendin e parë, në një grup me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Gjibraltarin.

Në anën tjetër, Shqipëria edhe edicionin e kaluar ishte pjesë e Ligës B, por që pati një performacë për t’u harruar.

Kombëtarja shqiptare përfundonte e fundit në grup me Izraelin e Islandën me vetëm dy pikë.

Dy ish-mbrojtës të njohur në aksion si Sanjol dhe Silvinjo janë kundër njëri-tjetrit, por jo në një krah të fushës, por të ulur në stol dhe me bllok në dorë, duke udhëzuar “luftëtarët” e tyre. Që me mbërritjen e Silvinjos në vitin e kaluar, të gjitha ndeshjet që janë zhvilluar në shtëpi janë fituar ose barazuar.

shqipëria gjeorgjia liga e kombeve

Lini një Përgjigje