
Janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së 32 në Abissnet Superiore. E turpshme ajo që ka ndodhur në Korçë. Dinamo në mënyrë të habitshme zgjedh të luajë me formacionin e dytë sot, duke nënkuptuar kthimin e nderit që Skënderbeu i bëri në Kupë, ku “Blutë” siguruan biletën për në gjysmëfinale edhe pse ndeshja e parë ishte fituar 2-0 nga korçarët.
Përsa i përket takimit të sotëm, Dinamo gjeti golin e para me Qardakun në minutën e 9. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për “Blutë”. “Spektakli” i vendasve nisi në pjesën e dytë, ku shënuan 4 gola, fillimisht me Ardit Nikaj në minutën e 55, dhe më pas tre gola nga Saleh Nasr në minutat 62, 69 dhe 80.
Në ndeshjen tjetër, Partizani fitoi minimalisht 1-0 ndaj Laçit, në përballjen e Superiores të luajtur në “Arenën e Demave”.
Debuton me triumf rikthimin në stolin e të kuqve, edhe trajneri Skënder Gega, i zyrtarizuar vetëm 2 ditë më parë.
Rasti i parë serioz i takoi kurbinasve, me Myrtën që “flirtoi” me golin por vetëm kaq, pasi goditja e tij shkoi mbi portë.
Në minutat e fundit ritmi u shtua, teksa kryeqytetasit morën avantazhin. Një gabim i kushtoi rëndë laçianëve, me portierin Molla që nuk largoi si duhej një top, me Eleke që shënoi, duke ndëshkuar kundërshtarin.
Mysafirët reaguan dhe barazuan shifrat brenda fraksionit të parë, por goli u anulua për pozicion të parregullt.
Laçi u fut me shumë dëshirë në pjesën e dytë, gjatë zhvillimit të një goditjeje këndi topi shkoi te Bibo, i cili shkaktoi drithërima, me një tentativë nga distanca.
Pavarësisht rasteve, nuk pati gol deri në fund. Partizani shkon në kuotën e 47 pikëve në vendin e katërt, ndërsa komplikohen llogaritë te Laçi, që me 33 pikë është në vendin e gjashtë.
Në orën 20:00, në “Loro Boriçi”, Vllaznia pret Teutën. ndërsa dy ndeshjet e mbetura do të luhen nesër, Bylis-Egnatia dhe Elbasani-Tirana.
Lini një Përgjigje