
Skënderbeu ka mundur Egnatian me shifrat 1-0 në Korçë, duke ringjallur edhe njëherë shpresat për mbijetesën.
Skuadra juglindore ishte dominuese ndaj kryesuesve, duke kërkuar me ngulm fitoren. Skënderbeu humbi edhe një penallti në pjesën e parë me Bismark.
Kjo është humbja e parë për Egnatian në vitin 2025, me rrogozhinasit që mbeten në krye me 48 pikë. Në krahun tjetër, Skënderbeu mban vendin e fundit me 23 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Teuta mundi Tiranën 2-1 me përmbysje, në takimin e luajtur në “Niko Dovana”.
Sfida u zhbllokua në minutën e 13. Ernest lëvizi mjaft mirë në zonë dhe shërbeu për Zharmuni, i cili nga fare pranë nuk fali dhe dërgoi topin në rrjetë. Goli u anulua për pozicion jashtë loje, por u cilësua i rregullt, pas konsultimit me sistemin VAR.
Durrsakët nuk “qendruan duarkryq” dhe reaguan menjëherë. Simeu vendosi ekuilibrat, duke shfrytëzuar në maksimum një krosim nga goditja e këndit.
Pjesa e dytë filloi “zjarr”, me Teutën që pretendoi penallti për një kontakt Dembele-Toma, por nuk pati asgjë.
Në minutën e 61, ekipi kryeqytetas u shfaq rrezikshëm me një zbritje të shpejtë të Zharmuni, por mbrojtja kundërshtare ishte e vëmendshme, duke larguar topin.
5 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Teuta fitoi penallti, pasi Kotobelli u pengua në zonë. 11-metërshi u përkthye në gol nga Lloci, i cili ndezi festën vendase.
Teuta renditet në vendin e tetë me 27 pikë, ndërsa Tirana e vendit të nëntë ka një pikë më pak.
Lini një Përgjigje