
Arsenali i ka dhënë fund garës për titullin kampion në Premier Ligë. Skuadra e Artetës është mundur 0-1 në shtëpi nga Uest Hemi. Goli i vetëm i takimit u shënua në pjesën e parë në minutën e 43, pas një kundërsulmi të shpejtë. Ishte Bouen që dërgoi me kokë topin në rrjetë pas krosimit të Uan Bisaka.
Në pjesën e dytë, “Topçinjtë” mbetën edhe me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq në minutën e 73, të Luis Skelin. Pavarësisht disa rasteve, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Diferenca me Liverpulin e vendit të parë është 8 pikë, gjë që duket e vështirë për t’u arritur, ndaj mund të themi që gara për titull në Premier Ligë mund të quhet e mbyllur.
Sot ishte dita e ekipeve mike, pasi në pesë ndeshjet e orës 16:00 në Premier Ligë, fituan ekipet udhëtuese. Totenhemi bëri detyrën duke fituar 1-4 në transfertë ndaj Ipsuiçit.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja 4-0 e Brajton ndaj Sauthemptonit, ku protagonist u bë Brajan Gruda. Sulmuesi shqiptar u fut në fushë në minutat e fundit dhe dha asistin për golin e katërt të skuadrës së tij.
Lini një Përgjigje