
Eliminimi nga Liga e Kampioneve duket se ka prishur ekuilibrin te Atalanta e cila po shkon drejt fundit të një cikli historik nën drejtimin e trajnerit Xhan Piero Gasperini. Zënka në distancë me Lukman që shoqëroi atë humbje ndaj Klub Bryzh, ka sjellë krisje te bergamaskët dhe vetë trajneri i Atalantës në konferencën e sotme për shtyp theksoi se në fund të sezonit, do të merrte vendimin nëse do të largohej menjëherë nga klubi, apo nëse do të priste fundin natyral të kontratës në verën e vitit 2026.
“A vlen kualifikimi në Ligën e Kampioneve sa fitorja e Ligës së Europës? Sigurisht që është një objektiv fantastik, sipas meje. Nëse shkon në Ligën e Europës, edhe ai është një objektiv i mirë i arritur. Por mbi një gjë jemi të gjithë dakord, nëse dëshiron të përjetosh emocione të ndryshme, objektivi është atje lart. Përndryshe çdo gjë tjetër vlen më pak.
Unë kam pak kohë për ta bërë këtë gjë, ndoshta është hera e fundit. Ashtu siç kanë thënë shumë njerëz, ka një fillim dhe ka një fund, do të shohim në fund të vitit nëse do të qëndroj deri në mbyllje të kontratës, apo të ndërpres bashkëpunimin. Nuk do të ketë rinovime apo vazhdimësi të mëtejshme”, ishte mesazhi i qartë i Gasperinit në konferencën e sotme për mediat, duke paralajmëruar fundin e epokës së tij të suksesshme te Atalanta, të cilën e ka kthyer në një skuadër që lufton për objektiva të rëndësishëm dhe me të cilën hyri në histori duke fituar Ligën e Europës.
Lini një Përgjigje