
Aleks Himenez është përfshirë në një skandal të madh në Angli, pasi disa mesazhe private të publikuara në rrjetet sociale kanë vendosur në qendër të polemikave mbrojtësin e Bërnmuthin. Futbollisti 21-vjeçar, i transferuar nga Milani në muajin shkurt, po hetohet pas komunikimeve të pretenduara me një vajzë 15-vjeçare.
Bisedat, të cilat u shpërndanë me shpejtësi online, kanë shkaktuar reagime të forta dhe kërkesa për ndërhyrje të menjëhershme nga klubi dhe autoritetet. Në një prej mesazheve të publikuara, Himenez shkruan: “Më pëlqejnë vajzat më të reja.”
Sipas materialeve që qarkullojnë në rrjet, vajza i ka bërë të qartë futbollistit se ishte e mitur, ndërsa ai dyshohet se ka vijuar komunikimin duke minimizuar rëndësinë e moshës. Publikimi i këtyre mesazheve ka nxitur indinjatë të madhe në opinionin publik.

Përballë situatës, Bërnmuthi reagoi menjëherë duke pezulluar lojtarin nga aktiviteti sportiv dhe duke nisur një hetim të brendshëm. Çështja raportohet se po monitorohet edhe nga autoritetet angleze.
Në një deklaratë zyrtare, klubi anglez bëri të ditur:
“Bërnmuthi është në dijeni të postimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale që kanë të bëjnë me mbrojtësin e djathtë Aleks Himenez. Klubi e kupton sa e rëndë është kjo çështje dhe aktualisht po kryhen hetime. Si pasojë, Aleks nuk do të përfshihet në skuadër për ndeshjen ndaj Fulhamit dhe klubi nuk do të bëjë komente të tjera për momentin.”
Deri tani, vetë futbollisti nuk ka reaguar publikisht lidhur me akuzat dhe materialet e publikuara online.
Lini një Përgjigje