
Laçi nuk po stërvitet, ndërsa në prag është ndeshja me Dinamon që vlen për javën e 35 të Superiores. Një situatë e paprecedentë u njoftua sot nga klubi kurbinas, që tregon se dje ka pasur debate mes stafit dhe drejtuesve.
Njoftimi i Laçit- “Që prej ndeshjes së fundit, ekipi i Laçit nuk po stërvitet. Situata në ekip është mjaft e rënduar, si asnjëherë më parë. Ditën e djeshme është zhvilluar një takim mes drejtuesve dhe stafit ku debatet nuk kanë munguar dhe është vendosur që sot në orën 18:00 të mbahet një tjetër takim me ekipin në ambientet e stadiumit “Laçi” nga ku priten pezullime dhe ndëshkime të rënda. Takimi do mbahet me dyer të mbyllura”.
Ndeshja e fundit- Laçi e luajti më 12 prill në Durrës, një nga finalet e mbetura për mbijetesën. Sfida ndaj Teutës u humb me rezultatin 1-0, ndërsa goli i vetëm u shënua nga penalltia. Një humbje që dhemb pasi me dy javë të mbetura, Laçi ka tri pikë më pak se Tirana e vendit të tetë, që ndodhet në zoën e “play-out”.
Trajneri Moriero- Klubi i Laçit tregoi për debate mes stafit dhe drejtuesve. Ja çfarë deklaroi trajneri Moriero pas ndeshjes me Teutën:
“Në analizën e ndeshjeve jam shumë i kthjellët, kjo ndeshje u luajt nga dy ekipet, kishim rastet tona të zakonshme për të shënuar. Nuk ia dolëm të shënonim dhe shpesh ndodh që në një rast të parë rrezikon të pësosh dhe kështu ndodhi me një penallti. Ekipi luajti, bëri ndeshjen si e kishim përgatitur, por në këtë moment duhet të krijojmë. Janë ende dy ndeshje dhe 6 pikë në lojë dhe kemi detyrimin që të besojmë. Janë parimet e futbollit, ne e përgatitëm. Në momentin që ka presion duhet të luash vertikalisht, janë parimet e lojës, u munduam të bëjmë atë që bëjmë gjatë stërvitjes. Kur presion i tyre u ul, luajtëm futboll. Mendoj se ndeshja u bë”, u shpreh trajneri i kurbinasve.
Siç klubi paralajmëron, priten pezullime dhe ndëshkime. Mbledhja vendimtare e Laçit do të mbahet sot në orën 18:00.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje