
Seanca e sotme stërvitore e Kombëtares shqiptare ka sjellë një lajm shumë të mirë për kuqezinjtë. Pas mungesës në stërvitje në ditët e kaluara, me pjesën tjetër të ekipit është rishfaqur Rei Manaj.
Futbollisti ka kaluar një situatë gripale në ditët e kaluara dhe stafi mjekësor e kishte lënë pushim futbollistin, që të mos përkeqësohej gjendja e tij. Për më tepër, një natë më parë Manaj kishte shkuar edhe për vizitë më të specializuar në një qendër spitalore në kryeqytet.
Por në seancën e sotme të pasdites, Manaj është bashkuar rregullisht me skuadrën duke zhvilluar ushtrimet, sinjal i qartë se do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për duelin e të shtunës dhe kandidat i fortë për një vend mes titullarëve.
28-vjeçari vjen te kuqezinjtë pas një tjetër sezoni pozitiv në aspektin individual me Sivasorin. Manaj shënoi 12 gola dhe asistoi 5 të tjerë në kampionat, ndërsa mori minuta në 27 ndeshje.
Lini një Përgjigje