
Roma ka marrë një vendim të papritur, teksa ka zyrtarizuar sot shkarkimin e Daniele De Rosit nga drejtimi i skuadrës. Edhe pse vetëm pak kohë më parë drejtuesit verdhekuq deklaronin se me De Rosin kishin gjetur trajnerin për të ndërtuar një cikël, rezultatet nuk po vinin.
Megjithatë, pakkush priste që trajneri të shkarkohej pas vetëm 4 javëve kampionat, duke mos pasur në dispozicion kohën as për të reaguar pas një starti të keq të sezonit, ku ekipi ka regjistruar 3 barazime e 1 humbje.
Njoftimi i klubit:
AS Roma njofton se ka liruar Daniele De Rosin nga roli i trajnerit të ekipit të parë.
Vendimi i Klubit është marrë në interes të skuadrës, në mënyrë që të mund të rifillojë sa më shpejt rrugën e dëshiruar, në një kohë kur sezoni është ende në fillimin e tij.
Për Danielen, i cili do të jetë gjithmonë në shtëpi në klubin verdhekuq, një falënderim të përzemërt për punën e kryer muajt e fundit me pasion dhe përkushtim.
Do të vijojnë komunikimet mbi udhëheqjen teknike të ekipit.
Ivan Juriç pritet të jetë trajneri i ri i Romës. Tekniku kroat, që ka drejtuar Torinon dhe Veronën në Serinë A, mbërriti në kryeqytet pas mesditës së sotme, ndërsa agjenti i tij ndodhej në “Trigoria” për të përcaktuar kushtet e kontratës.
“Friedkins”, pas shkarkimit të De Rosit dhe “JO” së Piolit (tashmë në marrëveshje me Al-Nassr), u kthyen fuqishëm drejt Juriç, i cili u vu menjëherë në dispozicion për të drejtuar stërvitjen e pasdites.
Oferta verdhekuqe është ajo e një kontrate deri në vitin 2025, me opsion rinovimi në rast kualifikimi në Champions League. Në këto orë, përfaqësuesit e trajnerit kroat kanë arritur marrëveshje me Romën. Juriç do të udhëheqë stërvitjen pasdite, përpara ndeshjes kundër Udinezes.
Të gjitha ndodhën në pak orë, ashtu si në janar, kur De Rosi mori “stafetën” nga Zhoze Murinjo. Kroati thuhet se parakaloi kandidaturat e Terziç dhe Tuhel. Eksperienca në Itali dhe fakti i përdorimit praktikisht gjithmonë të 3-4-2-1 ose 3-4-3, në varësi të mënyrës se si lëvizin krahët gjatë ndeshjes, ishin vendimtare.
Prandaj, ish-trajneri i Torinos do të bëhet trajneri i katërt i epokës së “Friedkins”, pas Fonsekëa, Murinjos dhe De Rosit. Objektivi tani është që të ngrihet menjëherë moralisht ekipi dhe ngjitur sa më lart në renditje.
Lini një Përgjigje