
Maks Vershtapen fitoi sot “garën sprint” të zhvilluar në pistën e Zeltueg, në Austri, duke konfirmuar dominimin e tij në botërorin e Formula 1. Edhe pse gara u zhvillua në një pistë të lagur, piloti holandez i Red Bullit nuk pati asnjë problem të dominonte dhe të fitonte (+21 sekonda nga rivalët).
Në vendin e dytë u rendit meksikani Serxhio Perez me makinën tjetër Red Bull, ndërkohë që podiumi u kompletua me spanjollin Karlos Sainz të Ferrarit (i treti). Pilotët garuan të gjithë me gomat e ndërmjetme, për pistë të lagur, duke bërë që të kishte rivalitet për zonën e pikëve, kur pilotët ndërruan gomat.
Në vendin e katërt u rendit Stroll, që la pas Alonson, Hulkenbergun, Albonin dhe Rasëllin, të renditur në tetë vendet e para, që morën pikë nga kjo garë 100 km. Paraqitje e dobët për Hamilton me Mercedesin, i cili u rendit në vendin e 10 si dhe Lëklerk me Ferrarin, që doli në vendin e 12. Të dielën, në orën 15:00, do të zhvillohet gara e Austrisë, ku pilotët do ta nisin garën në bazë të rezultateve të arritura në provat zyrtare të ditës së premte.

Lini një Përgjigje