Në ambientet e stadiumit “Air Albania” është zhvilluar ceremonia e lamtumirës për ish-trajnerin e Kombëtares shqiptare, Silvinjo, i cili mbyll zyrtarisht bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit. Krahas teknikut brazilian janë nderuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Doriva dhe Pablo Zabaleta.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili falënderoi publikisht treshen për kontributin e dhënë gjatë tre viteve në drejtimin e ekipit kombëtar. Duka vlerësoi jo vetëm rezultatet sportive, por edhe profesionalizmin dhe mënyrën se si ata përfaqësuan fanelën kuqezi.
“Ne jemi sot këtu të gjithë, për t’ju falënderuar për kontributin tuaj në futbollin shqiptar me ekipin Kombëtar, që realisht është simboli i futbollit shqiptar, simboli i të gjithë shqiptarëve. Gjatë 3 viteve, z. Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta kanë dhënë një kontribut maksimal. Kanë përjetuar momente të bukura, jo vetëm në rezultate.
Rezultati është padyshim i rëndësishëm, por ajo që mbetet është edhe dinjiteti me të cilin ata kanë përfaqësuar fanelën shqiptare. Përkushtimi me të cilin ata kanë punuar gjatë këtyre 3 viteve, në fund të fundit mbetet miqësia dhe dashuria jonë, fakti që pothuajse jemi të gjithë FSHF këtu për t’i falënderuar”, u shpreh Duka gjatë fjalës së tij.
View this post on Instagram
Në shenjë mirënjohjeje, Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta morën si dhuratë fanela të personalizuara të Kombëtares, ku binte në sy mbishkrimi “Forever” (përgjithmonë), simbol i lidhjes së tyre me ekipin kuqezi.
Pak ditë më parë, FSHF konfirmoi se Silvinjo dhe stafi i tij nuk do të rinovonin kontratën me kombëtaren. Në vend të tij, drejtimin e Kombëtares e mori trajneri italian Rolando Maran, i cili ka firmosur një kontratë deri në vitin 2028.
Lini një Përgjigje