
PSG-ja do të përballet me Çelsin nesër në mbrëmje në orën 21:00, në ndeshjen e parë të raundit të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Përballja në “Parc des Princes” pritet të jetë një duel i fortë mes dy skuadrave që kanë treguar luhatje në performancë gjatë sezonit.
Ndeshja rikthen në kujtesë edhe finalen e fundit të Kupës së Botës për Klube, ku Çelsi triumfoi me rezultatin e thellë 3-0 ndaj PSG-së, një fitore që erdhi kundër parashikimeve.
PSG përballë një Çelsi në formë
Skuadra franceze është paralajmëruar se për të rivalizuar me londinezët do të duhet një paraqitje në nivel maksimal. Çelsi paraqitet me besim të lartë dhe me sulmuesin Zhoao Pedro në formë të shkëlqyer.
Megjithatë, PSG mund të përballet edhe me një mungesë simbolike në tribunë: presidentin e klubit, Naser Al-Khelaifi.
Al-Khelaifi i bllokuar në Doha
Sipas gazetarit Nizaar Kinsella, presidenti i PSG-së ndodhet aktualisht në Doha dhe nuk mund të udhëtojë drejt Francës për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme. Për këtë arsye, prania e tij në stadium për këtë ndeshje mbetet e pasigurt.
Vendimi më i mundshëm, sipas raportimeve, është që ai të qëndrojë në Katar deri në stabilizimin e situatës.
Enrike: Mbështetja e tifozëve është jetike
Trajneri i PSG-së, Luis Enrike, theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në prag të këtij takimi.
“Përgatitja jonë është ajo tipike për një ndeshje të tillë. Jemi shumë të motivuar, sepse bëhet fjalë për garën më prestigjioze për klube. Të luash në ‘Parc des Princes’ është gjithmonë diçka e veçantë. Tifozët tanë janë shumë të rëndësishëm dhe mbështetja e tyre është jetike për ne”, deklaroi ai në konferencën për shtyp.
Mesazh optimist nga Barkola
Edhe sulmuesi Bredli Barkola u shpreh optimist përpara përballjes me Çelsin.
“Jemi të uritur për fitore dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar. Kemi treguar edhe më parë se mund të tejkalojmë veten. Të gjithë i duam këto lloj ndeshjesh dhe punojmë shumë për të qenë pjesë e tyre”, tha ai.
Lini një Përgjigje