
UEFA ka shprehur shqetësim për rritjen e shpenzimeve të klubeve të Premier Ligës për lojtarët, pas hyrjes në fuqi të një rregulli të ri në kampionatin anglez që lejon ekipet të shpenzojnë deri në 85% të të ardhurave të tyre për skuadrën. Ky nivel është 15% më i lartë se kufiri i vendosur për klubet elitare europiane.
Sipas organit qeverisës të futbollit në Evropë, klubet që marrin pjesë në kompeticionet europiane – si Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës – nuk duhet të shpenzojnë më shumë se 70% të të ardhurave për pagat dhe kostot e skuadrës. UEFA argumenton se tejkalimi i këtij kufiri mund të krijojë diferenca të mëdha financiare mes klubeve dhe të shtyjë disa prej tyre të ndërmarrin rreziqe ekonomike për të konkurruar me ekipet angleze.
Përfaqësuesi i UEFA-s, Andrea Traverso, theksoi se Premier Liga gjeneron rreth një të katërtën e të gjitha të ardhurave të klubeve europiane. Sipas tij, kjo fuqi financiare në rritje mund të krijojë tension në tregun e transferimeve dhe të çojë në një përqendrim edhe më të madh të talenteve në Angli.
Ai shtoi se rreth 40% e lojtarëve më të vlefshëm në botë aktualisht luajnë në klubet angleze, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre përfundojnë në stol ose jashtë formacionit titullar.
Nga ana tjetër, Premier Liga i ka kundërshtuar këto kritika. Drejtori ekzekutiv i ligës, Riçard Masters, ka deklaruar se rregullat e reja synojnë të ruajnë balancën konkurruese brenda kampionatit anglez dhe t’u japin më shumë mundësi klubeve që nuk marrin pjesë rregullisht në garat europiane të konkurrojnë për kualifikim.
Ndërkohë, disa nga ligat e tjera të mëdha europiane po lëvizin drejt rregullave më të rrepta financiare. Bundesliga gjermane ka vendosur një kufi prej 70% për shpenzimet e skuadrës në raport me të ardhurat, ndërsa në Spanjë, La Liga vazhdon të zbatojë një model të fortë kontrolli financiar, ku çdo klub mund të shpenzojë vetëm në përputhje me të ardhurat që gjeneron.
Lini një Përgjigje