
Etrit Berisha po përjeton një nga momentet më të mira të karrierës së tij në Suedi. Transferimi te Haken, në muajin prill të këtij viti, rezultoi lëvizja e duhur për portierin shqiptar, i cili është shndërruar në një figurë kyçe për ekipin, edhe me gola të shënuar.
Berisha ishte protagonisti absolut në suksesin e Haken në turin e dytë të Ligës së Europës, ku skuadra suedeze eliminoi Anderlehtin pas një serie dramatike penalltish. Ish portieri i Kombëtares shkëlqeu duke pritur një penallti dhe duke shënuar një tjetër, për të udhëhequr skuadrën drejt kualifikimit.
Forma e tij mbresëlënëse nuk ka kaluar pa u vënë re nga drejtuesit e klubit. Haken ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Berishën, duke e lidhur me klubin deri në verën e vitit 2027. Një shpërblim i merituar për paraqitjet e tij në portë.
"Kemi bërë shumë gjëra të mira gjatë muajve që kam qenë këtu. Kemi një ekip që ka potencial të mirë dhe mund të bëjë edhe më mirë në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ndihem mirë të zgjas kontratën. Kur erdha, u habita sa mirë është gjithçka këtu; qendra stërvitore, lojtarët dhe drejtuesit", tha Etrit Berisha.
Me formën e mirë të treguar, Berisha duket se i ka dhënë edhe një sinjal Silvinjos për një rikthim në Kombëtare.
Lini një Përgjigje