TAGS-AT E JAVËS

Sport 2 Qershor 2026, 19:22

Probleme me vizën, lideri i Zvicrës nuk udhëton me ekipin për Kampionatin Botëror

Shkruar nga Pamfleti
Probleme me vizën, lideri i Zvicrës nuk udhëton me ekipin
brel embolo

Kombëtarja e Zvicrës është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vijuar përgatitjet për Kupën e Botës, por pa një nga lojtarët e saj kryesorë. Sulmuesi Brel Embolo nuk ka mundur të udhëtojë me pjesën tjetër të skuadrës për shkak të problemeve me autorizimin e hyrjes në territorin amerikan.

Sipas Federatës Zvicerane të Futbollit, dokumenti elektronik ESTA i lojtarit ishte i vlefshëm deri në mëngjesin e së martës, por më pas autoritetet amerikane vendosën ta kalojnë në shqyrtim të mëtejshëm. Si pasojë, futbollisti 29-vjeçar mbeti në aeroport, ndërsa ekipi udhëtoi drejt SHBA-së.

Mediat zvicerane raportojnë se situata lidhet me një çështje gjyqësore të vitit 2018. Në vitin 2023, Embolo u shpall fajtor për kërcënime të përsëritura dhe mori një dënim me gjobë me kusht. Vendimi u konfirmua edhe nga gjykata e apelit dhe, pasi lojtari vendosi të mos e ankimojë më tej në Gjykatën Federale, ai mori formë të prerë.

Megjithatë, drejtuesit e futbollit zviceran shprehen optimistë për zgjidhjen e situatës. Në një deklaratë zyrtare, federata bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe pret që Embolo të marrë dritën jeshile për të udhëtuar brenda ditës ose t’i bashkohet skuadrës të nesërmen.

Kjo nuk është hera e parë që sulmuesi udhëton drejt Shteteve të Bashkuara. Ai ishte pjesë e përfaqësueses zvicerane edhe gjatë ndeshjeve miqësore të zhvilluara vitin e kaluar ndaj SHBA-së dhe Meksikës.

Aktualisht pjesë e klubit Rene në Francë, Embolo mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kombëtares zvicerane, me pjesëmarrje në pesë turnetë e fundit madhorë ndërkombëtarë, përfshirë Kupat e Botës 2018 dhe 2022. Ai vjen gjithashtu në një moment të mirë forme, pasi shënoi në fitoren 4-1 të Zvicrës ndaj Jordanisë në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën.

brel embolo sulmuesi i zvicrës

1 Komente

  1. T
    Tony

    A e kuptoni i popull biografine nuk e shpiku Enveri por e mori nga te tjeret dhe e aplikoi ne Shqiperi per ta bere popullin zap e sus. Ne perendim te ndjek biografia si ai qeni prene.

    Lini një Përgjigje