Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, është shprehur i kënaqur me angazhimin dhe profesionalizmin e futbollistëve kuqezi në prag të dy ndeshjeve miqësore që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Izraelit më 3 qershor dhe Luksemburgut më 6 qershor.
Në konferencën për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe kapiteni Berat Gjimshiti, tekniku italian theksoi se, megjithëse grumbullimi vjen në fund të sezonit futbollistik, lojtarët kanë treguar dëshirë dhe përkushtim maksimal për të përfaqësuar Kombëtaren.
“Koha nuk është asnjëherë e mjaftueshme kur punon me një Kombëtare, sepse janë shumë pak ditë për të punuar me lojtarët. Kryesorja është që ne të kemi ide, por besoj se ka mjaftuar koha për të pasur një ide se si ne të luajmë. Sigurisht që na ka shërbyer kjo kohë edhe për t’u njohur, do të na shërbejë edhe për t’u përmirësuar nga gabimet. Duhet të kemi qasjen e duhur për t’u futur nesër në fushë. Me sa kam parë, është një sinjal i qartë që skuadra është në pikën e duhur”, deklaroi Maran.
Trajneri nënvizoi se, edhe pse bëhet fjalë për ndeshje miqësore, rezultati mbetet një objektiv i rëndësishëm për ekipin.
“Sigurisht që rezultati është i rëndësishëm, por në të njëjtën kohë edhe performanca. Janë dy ndeshje miqësore, por rezultati ka rëndësi. Janë tifozët të cilët shpresojnë që ne do të dalim me fitore. Kur hyn në fushë si skuadër, shpresoj që ne të marrim këtë rezultat. Do të jetë e vështirë, por në momentin që do të kemi një rezultat të mirë, kjo do të ishte perfekte”, u shpreh ai.
Maran foli gjithashtu për identitetin e lojës që synon të ndërtojë te Kombëtarja shqiptare, duke theksuar se skuadra duhet të mbështetet te karakteristikat e saj dhe jo te krahasimet me ekipe të tjera.
“Nuk është ndeshja PSG-Arsenal, por është Shqipëria. Ne duhet të krijojmë ADN-në të bazuar në karakteristikat tona. Nëse një trajner e mban të sigurt idenë e tij, atëherë nuk mund të evoluojë. Futbolli ka ndryshuar, por edhe lojtarët gjithashtu. Ajo që mua më pëlqen është që skuadra të dalë në fushë dhe të mbyllë ndeshjen. Të sigurojë një rezultat pozitiv. Çdo ekip ka veçantitë e veta”, tha trajneri.
Ai përsëriti filozofinë e tij për një skuadër agresive dhe me mentalitet fituesi, duke e konsideruar sfidën ndaj Izraelit si një test të rëndësishëm.
“Ajo që unë e kam thënë edhe në konferencën e parë, më pëlqen të kem një skuadër agresive dhe të futet në fushë për të fituar. Me Izraelin do të jetë e vështirë dhe një test provues. Unë kërkoj që skuadra të jetë me kurajë dhe personalitet”, deklaroi Maran.
Në fund, trajneri zbuloi se gjatë ditëve të fundit ka eksperimentuar me disa zgjidhje taktike, duke u mbështetur te karakteristikat individuale të futbollistëve.
“Kam provuar disa gjëra, edhe pse ka pasur pak kohë për t’u përgatitur. Jam bazuar te karakteristikat e lojtarëve. Jemi fokusuar edhe te cilësitë e lojtarëve. Kemi edhe një stërvitje sot dhe më pas do të sqarohen gjërat”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje