TAGS-AT E JAVËS

Sport 2 Qershor 2026, 16:54

Kurthi i madh i Botërorit 2026

Shkruar nga Lilia Saul rodriguez
Kurthi i madh i Botërorit 2026
Botërori 2026 /

Teksa miliona njerëz pritet të zbarkojnë në Amerikën e Veriut, rrjetet e pamëshirshme kriminale kanë ngritur një rrjetë mashtrimi përmes ofertave të rreme të punësimit. Ky fluks masiv vizitorësh po shërben si magnet për trafikantët, duke i kthyer shpresat e njerëzve vulnerabël në makthe të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar.

Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i Kupës së Botës FIFA 2026, autoritetet në të gjithë Amerikën e Veriut po ngrenë alarmin për një rritje të ndjeshme të ofertave të rreme për punë të lidhura me turneun.

Ata paralajmërojnë se trafikantët e qenieve njerëzore po shfrytëzojnë këtë event madhor sportiv për të joshur njerëzit vulnerabël drejt punës së detyruar dhe shfrytëzimit seksual.

Sipas ekspertëve, ngjarje të përmasave të tilla krijojnë kushte ideale për grupet kriminale që kërkojnë të përfitojnë nga fluksi i madh i njerëzve dhe nga kërkesa në rritje për punonjës të përkohshëm.

Në Meksikë, zyrtarët federalë të sigurisë dhe policia kibernetike e kryeqytetit kanë konstatuar një përhapje të madhe të mashtrimeve në internet. Premtimet e rreme për punësim të menjëhershëm, paga të larta dhe shpenzime udhëtimi të paguara plotësisht po qarkullojnë masivisht në rrjetet sociale, uebsajtet mashtruese dhe aplikacionet e mesazheve si WhatsApp.
Autoritetet thonë se shumë prej këtyre ofertave paraqiten si mundësi të rralla punësimi në sektorë të lidhur drejtpërdrejt me organizimin e turneut, duke i bërë ato më bindëse për punëkërkuesit.

Vetë përmasat e turneut - i cili bashkëorganizohet nga Meksika, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara - krijojnë një rritje të papritur të turizmit, të fuqisë punëtore të përkohshme dhe të kërkesës për shërbime, gjë që funksionon si magnet për rrjetet kriminale.

Miliona tifozë pritet të udhëtojnë drejt qyteteve pritëse, ndërsa bizneset lokale do të kërkojnë staf shtesë për të përballuar fluksin e vizitorëve. Kjo situatë krijon hapësira që mund të shfrytëzohen nga individë dhe grupe të organizuara kriminale.

Nayely Sánchez Estrada, një zyrtare e lartë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), tha se njoftimet e rreme për punë shpesh shërbejnë si kurthi fillestar për format më të rënda të shfrytëzimit të qenieve njerëzore.

“Në përgjithësi, kur bëhet fjalë për trafikimin e qenieve njerëzore, sa herë që ka një event të madh sportiv - qoftë Kupa e Botës apo Lojërat Olimpike - numri i njerëzve dhe aktiviteteve që lëvizin dhe gërshetohen është mbresëlënës, dhe kjo është arsyeja pse shtohen rreziqet”- thotë Sánchez Estrada për OCCRP.

Ky kërcënim ka nxitur paralajmërime të koordinuara në të tria vendet pritëse. Agjencia e Kanadasë kundër pastrimit të parave lëshoi së fundmi një buletin ku u bën thirrje kompanive të monitorojnë sektorët që kërkojnë shumë krah pune, përfshirë hotelerinë, ndërtimin, pastrimin dhe sigurinë.

Këta sektorë konsiderohen veçanërisht të rrezikuar, pasi mbështeten shpesh te punonjësit sezonalë ose kontratat afatshkurtra. Agjencia paralajmëroi se rritja e madhe dhe e papritur e kërkesës “mund të krijojë mundësi që trafikantët të shfrytëzojnë individët vulnerabël përmes rrugëve të mashtrimit, shtrëngimit apo rekrutimit shfrytëzues”, madje edhe brenda strukturave në dukje legjitime të nënkontraktimit ose të stafit të përkohshëm.

Ekspertët theksojnë se këto forma rekrutimi mund ta bëjnë më të vështirë identifikimin e rasteve të shfrytëzimit. Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Thesarit u bëri thirrje institucioneve financiare në qytetet pritëse që të qëndrojnë vigjilente ndaj transaksioneve të lidhura me trafikimin seksual dhe atë të fuqisë punëtore, duke vënë në dukje se autorët janë të etur të “shfrytëzojnë hovin e aktivitetit ekonomik” që sjellin miliona vizitorë.

Autoritetet financiare po monitorojnë me kujdes lëvizjet e dyshimta të parave që mund të lidhen me rrjete kriminale ose me aktivitete të fshehura shfrytëzimi. Përveç trafikimit të qenieve njerëzore, zyrtarët po gjurmojnë gjithashtu mashtrime financiare në shkallë të gjerë.

Autoritetet meksikane paralajmëruan se punëkërkuesit po mashtrohen rregullisht duke paguar tarifa të rreme paraprake për uniforma, viza ose trajnime. Shumë viktima zbulojnë vetëm më vonë se vendet e punës të premtuara nuk ekzistojnë ose se janë përdorur si mjet për t’i futur në situata shfrytëzuese.

Për më tepër, zyrtarët paralajmëruan se rrjetet kriminale mund të përdorin si mbulesë punësimin në bare, klube nate dhe shërbime shoqërimi (eskortë) për të fshehur aktivitetet e tyre të paligjshme. Sipas tyre, disa prej këtyre ofertave synojnë veçanërisht të rinjtë dhe personat në vështirësi ekonomike, të cilët janë më të prirur të pranojnë premtime tërheqëse pa verifikuar burimin e tyre.

Ky mashtrim është bërë aq i përhapur sa ka shënjestruar drejtpërdrejt edhe vetë strukturën organizative të turneut. Muajin e kaluar, një rekrutuese punësimi e FIFA-s doli në LinkedIn për të paralajmëruar aplikantët se mashtruesit po përdornin emrin dhe foton e saj për të zhvilluar një proces rekrutimi të rremë dhe për t’u vjedhur paratë kandidatëve.

Në kundërpërgjigje, kanalet zyrtare të rekrutimit të FIFA-s për Kupën e Botës bënë një sqarim publik, duke deklaruar se komunikimet legjitime kryhen vetëm përmes rrugëve zyrtare. Organizata theksoi se nuk kërkon asnjëherë pagesa, informacione financiare dhe nuk zhvillon intervista në aplikacionet e mesazheve si WhatsApp apo Telegram.

Në një garë me kohën, fushata të gjera po zhvillohen tani në të gjithë Amerikën e Veriut për të trajnuar punonjësit e vijës së parë në sektorët e hotelerisë, transportit dhe argëtimit, me qëllim që të pikasen shenjat e shfrytëzimit.
Autoritetet shpresojnë se ndërgjegjësimi më i madh dhe raportimi i hershëm do të ndihmojnë në parandalimin e rasteve të trafikimit dhe në mbrojtjen e personave më të rrezikuar.

“Një nga fokuset kryesore është inkurajimi i të gjithë të përfshirëve për të njohur dhe raportuar aktivitetet e dyshimta, qofshin ato të lidhura me trafikimin e mundshëm të qenieve njerëzore apo me individë që gjenden në zona të kufizuara pa autorizim”- tha një zëdhënës i FIFA-s për OCCRP./Pamfleti nga “OCCRP”

kurthi i madh i botërorit 2026

Lini një Përgjigje