
Kualifikueset e Europianit “EURO 2024” kanë nisur ditën e djeshme, teksa sot u luajtën ndeshjet e tjera të grupeve të tjera. Sytë ishin te supersfida mes Francës dhe Holandës (Grupi B) por ka mjaftuar pjesa e parë që skuadra e Deshamps të mbyllte llogaritë ndaj “Tulipanëve”, ndërsa në të dytën rrumbullakosi shifrat përfundimtare në 4-0.
Mjaftuan 21 minuta që nënkampionia e Botës, Franca, të shkatërronte Holandën në sfiden hapëse të grupit. Djemtë Deshamps e nisën me presing, teksa pasi rikuperuan topin, Kolo Muani pasoi për Mbapenë që pa në qendër të zonës të lirë Grizman, i cili goditi direkt duke kthyer në gol asistin e sulmuesit të PSG-së.
Vetëm 5 minuta më pas ishte radha e Upamekanos që të shfrytëzonte përgjumjen e mbrojtjes së Holandës, duke përfituar nga një përplasje e topit dhe duke e shtyrë në rrjetë. Krosimi i bukur erdhi nga Grizman.
Më pas ishte radha e Mbape që në minutën e 21 realizoi golin e 3-0 shumë shpejt. Aksion i shpejtë dhe një pasim vertikal nga mesfusha me mbrojtësit që u ngatërruan. Kapiteni i ri i Francës mposhti pa probleme portierin… Në pjesën e dytë, Mbape shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për “Gjelat”, duke i dhënë fitoren. Po në grupin B, Greqia fitoi 0-3 ndaj Gjibraltarit me dy gola në pjesën e parë.
Në grupin F, Austria shkatërroi Azerbajxhanin 4-0 me dy golat e shënuar nga Sabitzer i Mançester Junajtid, Gregoritsh i Frajburgut dhe Baumgartner. Ndërsa në Stokholm, Suedia e Zlatan Ibrahimoviç (që e nisi nga stoli për t’u aktivizuar në pjesën e dytë) u shkatërrua thellë 0-3 nga Belgjika e trajnerit të ri Tedesko. Të tre golat u shënuan nga Romelu Lukaku i Interit, që ishte i papërmbajtshëm sonte në Suedi. Ai shënoi një në pjesën e parë dhe më pas dy në pjesën e dytë.
Sakaq, në grupin E ku bën pjesë edhe Shqipëria, Çekia çmontoi Poloninë 3-1 me dy gola të shpejtë të shënuar nga Krejçi dhe Çvançara në pjesën e parë dhe më pas në pjesën e dytë me Kutça. Polonia shënoi në fun, por goli vlejti vetëm për statistikë. Levandovski ishte në hije totale. Ndërsa Moldavia barazoi 1-1 ndaj Ishujve Faroe
Lini një Përgjigje