
Klubet e futbollit në Argjentinë kanë vendosur të bojkotojnë kampionatin nga 5 deri më 8 mars, në shenjë proteste ndaj asaj që e cilësojnë si persekutim gjyqësor ndaj presidentit të Shoqatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), Klaudio Tapia.
Vendimi u mor pasi një gjyqtar thirri Tapian për të dëshmuar më 5 mars – një seancë që më pas u shty me një javë – në kuadër të një hetimi ku ai akuzohet për korrupsion dhe përvetësim të kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Hetimi dhe vendimi për pezullimin e ndeshjeve
Hetimi nisi pas një ankese të paraqitur nga Agjencia Qeveritare e të Ardhurave dhe Kontrollit të Doganave (ARCA).
Komiteti ekzekutiv i ligës profesionale vendosi unanimisht të pezullojë të gjitha ndeshjet e divizionit të parë dhe ndeshjet e tjera të ligës nga 5 deri më 8 mars.
Shoqata e Futbollit e Argjentinës njoftoi në një deklaratë se vendimi u mor “në shenjë proteste kundër ankesës së paraqitur nga ARCA”.
Masa gjyqësore ndaj Tapias dhe zyrtarëve të tjerë
Të premten e kaluar, gjykatësi Diego Amarante vendosi një ndalim udhëtimi ndaj Tapias dhe thirri katër zyrtarë të tjerë për t’u marrë në pyetje në fillim të marsit.
Hetimi lidhet me dyshimet për mospagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore me vlerë rreth 19 miliardë peso (rreth 13 milionë dollarë) gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Mes zyrtarëve të thirrur për të dëshmuar janë:
arkëtari i AFA-s, Pablo Tovixhino;
sekretari i përgjithshëm, Kristian Malaspina;
drejtori i përgjithshëm, Gustavo Lorenco;
si dhe ish-presidenti i Rejsing Klub, Viktor Blanko, i cili mbante një funksion në organizatë gjatë periudhës që po hetohet.
Pretendimet e autoriteteve dhe reagimi i AFA-s
Sipas ankesës së autoritetit tatimor, AFA dyshohet se nuk i depozitoi kontributet e sigurimeve shoqërore brenda 30 ditëve kalendarike nga data e caktuar, çka çoi në lëshimin e një njoftimi për borxhin nga agjencia e mbledhjes së taksave.
Shoqata e Futbollit e Argjentinës i ka mohuar këto pretendime. Në një njoftim për shtyp të publikuar të hënën, AFA deklaroi se “pagesa vullnetare e këtyre detyrimeve tatimore është kryer përpara afatit të caktuar”.
Organizata gjithashtu pretendon se hetimet janë rezultat i një presioni politik. Sipas AFA-s, ato lidhen me kundërshtimin e Tapias ndaj planit të presidentit argjentinas Havier Milei për të transformuar klubet e futbollit nga modele pronësie të tifozëve (“socios”) në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar të hapura për investime private dhe të huaja.
Udhëtimi i autorizuar jashtë vendit
Pak para njoftimit për bojkotin e kampionatit, gjykatësi Amarante autorizoi Tapian të udhëtonte drejt Kolumbisë dhe Brazilit nga 23 deri më 28 shkurt, për të marrë pjesë në aktivitete zyrtare.
Lini një Përgjigje