
Ndeshja miqësore mes Kombëtares shqiptare U-21 dhe përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë grupmoshë, e planifikuar të zhvillohej më 30 mars në Antalia të Turqisë, është anuluar.
Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila bën të ditur se takimi nuk do të zhvillohet për shkak të situatës së krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Sipas njoftimit zyrtar, Federata Amerikane e Futbollit ka informuar institucionin shqiptar se, për arsye sigurie dhe për shkak të zhvillimeve në rajon, ka vendosur të mos udhëtojë drejt Turqisë. Si pasojë, zhvillimi i kësaj ndeshjeje miqësore është bërë i pamundur.
Ndërkohë, FSHF ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë për të gjetur një kundërshtar tjetër për përfaqësuesen shqiptare U-21, me qëllim zhvillimin e një ndeshjeje miqësore në të njëjtën datë, më 30 mars.
Para kësaj, më 27 mars, Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore në Antalia, ku do të përballet me përfaqësuesen e Japonisë.
Njoftimi i FSHF-së:
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ndeshja miqësore mes SHBA U-21 dhe Shqipërisë U-21, e planifikuar për t’u zhvilluar më 30 mars në Antalia, Turqi, është anuluar.
Federata Amerikane e Futbollit ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit se, për shkak të situatës së krijuar në Lindjen e Mesme dhe për çështje sigurie, ka vendosur të mos udhëtojë drejt Turqisë, duke e bërë të pamundur zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore.
Ndërkohë, FSHF po shqyrton mundësinë për të gjetur një kundërshtar tjetër për Kombëtaren U-21, për të zhvilluar një ndeshje miqësore në të njëjtën datë, më 30 mars.
Gjithashtu, Shqipëria U-21 ka të programuar të luajë testin e parë miqësor të marsit ndaj Japonisë U-21 më 27 mars në Antalia.
Lini një Përgjigje