TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Prill 2025, 16:32

Peshëngritje/ Çerçizi shkëlqen në Europian me vendin e 4, Erkand Qerimaj komandon në Baterinë B

Shkruar nga Pamfleti

Peshëngritje/ Çerçizi shkëlqen në Europian me

Shqipëria ka debutuar dje në Kampionatin Europian të peshëngritjes që po mbahet në Kishinau të Moldavisë. Ndonëse ende nuk është futur në zonën e medaljeve, Kombëtarja kuqezi ka lënë gjurmë, duke shënuar rezultate të rëndësishme, të cilat mbajnë firmën nga Arbëri Çerçizi, i cili arriti vendin e katërt në shkëputje, të shtatin në shtytje dhe të pestin në dygarësh.

Edhe pse në garën e tij të parë ndërkombëtare, Çerçizi shkëlqeu në kategorinë e peshave 73 kg. Shtangisti 27- vjeçar e nisi më së miri stilin e shkëputjes, duke kaluar provën e parë 140 kg me sukses. Më pas dështoi me 142 kg, ndërsa ia doli në tentativën e tretë me 145 kg, duke u klasifikuar në vendin e tretë. Në këtë stil kampion u shpall Roberto Gutu i Gjermanisë me 155 kg. Në stilin e shtytjes, Çerçizi dështoi në provën e parë me 171 kg, peshë të cilën e kaloi me sukses në tentativën e dytë.

Në provën e tretë kërkoi të realizonte 176 kg, por pa mundur që ta finalizonte me sukses, duke e mbyllur kështu shtytjen në vendin e shtatë me 171 kg. Në shtytje medaljen e artë e ftoi turku Yusuf Fehmi Genc, me 194 kg. Për sa i përket dygarëshit, me 316 kg gjithsej, Arbëri Çerçizi e përfundoi Europianin në vend të pestë, ndërsa edhe medalja e artë në total shkoi për turkun Genc, me 348 kg.

Ndërkohë, Briken Calja, ish-kampion i trefishtë i Europës dhe medalist i artë në Botëror, nuk ia doli që të futej në garë në kategorinë 73 kg. Një ditë para konkurrimit, Calja njoftoi se kishte probleme fizike, të cilat ia bënë të pamundur konkurrimin.

Në moshë 35-vjeçare, Calja tashmë duket në metrat e fundit të një karriere të jashtëzakonshme, si një prej më të suksesshmëve në historinë e sportit shqiptar. Garat kuqezi në Europian do të vijojnë sot, ku fillimisht në pedanë do të ngjitet Erkand Qerimaj në Baterinë B të peshave 81 kg, me garën që nis në orën 10:00. Më pas në të njëjtën peshë, por në Baterinë A, do të futet Kristi Ramadani, me garën e tij që nis në orën 18:00. Qerimaj ka deklaruar 325 kg, ndërsa Ramadani 340 kg.

arbër çerçizi peshëngritje

Lini një Përgjigje