
Përfundon takimi i Xhorxho Furlanit me Igli Taren ku është diskutuar rreth mundësisë së emërimit të ish-sulmuesit shqiptar në rolin e drejtorit sportiv të Milanit. Takimi nuk është bërë në zyrat apo ambientet e klubit kuqezi, por në Romë, ku jeton Tare me familjen e tij.
Një takim formal, që është vetëm hapi i parë i akordit, pasi nuk janë detajuar klauzola kontrate mes palëve. Administratori i Milanit ka dashur të njihet personalisht me Taren, të kuptojë idetë e drejtuesit shqiptar dhe të diskutojë në vija të trasha atë që mund të bëjë në klubin kuqezi, me fondet në dispozicion.
Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, këtë takim pritet ta ndjekin edhe të tjerë përfaqësues të klubit, duke filluar nga ai me Xherri Kardinalen, të cilin Tare e ka takuar edhe në shkurt në Londër kur Ibrahimoviç e “sponsorizonte” te pronari i klubit.
Vendimi nuk pritet sot apo nesër, por sipas të njëjtit burim menjëherë pas kësaj fundjave. Milani ka dy ndeshje shumë delikate të sezonit, atë ndaj Atalantës në kampionat në fundjavë dhe me Interin në Kupën e Italisë mesjavën e ardhshme. Në periudhën mes dy ndeshjeve, pritet të detajohet edhe kontrata e mundshme dhe firma e Tares me klubin kuqezi, gjithmonë nëse diskutimet marrin rrjedhën e duhur.
Lini një Përgjigje