
Garet Sauthgejt dha dorëheqjen si trajner i Anglisë verën e kaluar. 54-vjeçari u largua nga ‘Tre Luanët’, pasi humbi finalen e Kampionatit Europian, këtë herë nga Spanja.
Trajneri ishte kritikuar për paraqitjen e skuadrës, pavarësisht se e çoi atë edhe në një tjetër finale. Por, ashtu si katër vite më parë kundër Italisë, edhe kësaj radhe nuk ia dolën të triumfonin. Vendin e tij e zuri Toams Tuhel, i cili tashmë ka nisur punën me Anglinë, ku në 2 ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ka marrë pikët e plota.
Nga ana tjetër, Sauthgejt, ka lënë pas futbollin dhe ka ndryshuar tërësisht jetën e tij. Ai aktualisht shërben si një nga dy drejtorët e “MAS Investment Holdings Limited”, firma që menaxhon një perandori pronash prej 6.2 milionë funtesh.
Në tetor, Sauthegjt tha se kishte në plan të merrte një vit pushim përpara se të konsideronte një rikthim në futboll. Megjithatë, përmes një postimi në Linkedin-in e tij, trajneri la të kuptohet se mund të jetë gati të lërë futbollin dhe të nisë një rrugë të re.
"Pas tetë vitesh në një nga rolet e profilit më të lartë në futbollin botëror, po gjej pak kohë për të reflektuar mbi atë që kam përjetuar dhe për të menduar thellë për atë që do të vijë më pas. Pesha e rolit, me përgjegjësinë unike që shoqëronte, ishte diçka që pakkush e përjetoi ndonjëherë. Megjithatë, ndoshta gjëja më e vështirë për t'u përsëritur është ndjenja e qëllimit.
Edhe në momentet më të vështira, qoftë pas disfatave therëse, apo nën vëzhgimin intensiv të medias, isha thellësisht i vetëdijshëm për nevojën për të ruajtur dinjitetin dhe për të demonstruar lidership të fortë. Kjo nuk ishte vetëm për lojtarët dhe stafin që ishin me mua, por edhe për miliona të rinj që na shikonin, të cilët mund të gjenin frymëzim dhe shpresë në atë që bëjmë.
Ky qëllim i lartë më mbajti në rrugën e duhur, më dha strukturë, e bëri jetën time më të kënaqshme dhe do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t'u përsëritur. Kjo është arsyeja pse unë nuk i kufizoj mundësitë e mia të ardhshme për të vazhduar si trajner futbolli.
Jam rehat me këtë periudhë eksplorimi dhe që nuk i kam të gjitha përgjigjet. Unë ndjek këshillën që do t'i jepja çdo të riu pa një vizion të qartë karriere: vazhdoni të mësoni, ndërtoni ose eksploroni rrjetin tuaj, kërkoni përvoja të ndryshme jetësore dhe kur të vendosni se çfarë të bëni më pas, nuk do të ketë të drejtë apo të gabuar, vetëm një rrugë apo një tjetër.
Tani për tani, po gjej qëllimin tim të nevojshëm brenda gjithë kësaj, të jem në gjendje të mbaj ditët duke mbështetur bamirësitë që kam zgjedhur. Unë nuk jam i vetmi pesëdhjetë e ca vjeç që mendon të ndryshojë drejtimin”, u shpreh ish-trajneri i Anglisë.
Lini një Përgjigje