
Pjesa e parë e ndeshjes mes Ukrainës dhe Shqipërisë është mbyllur me rrjeta të paprekura. Sfida u karakterizua nga një dominim i lehtë i ukrainasve në krijimin e rasteve, ndërsa kuqezinjtë u përqendruan kryesisht në mbrojtje dhe kundërsulme.
Që në minutat e para, Ukraina u shfaq më kërkuese. Në minutën e 4-t, Jaremçuk provoi nga distanca, por Strakosha u tregua i vëmendshëm. Presioni vijoi edhe në minutën e 7-të me Malinovskin, goditja e të cilit u devijua në këndore.
Rasti më i rrezikshëm erdhi në minutën e 10-të, kur Hutsuliak depërtoi në zonë, por ndërhyrja e Mitajt shmangu rrezikun. Ndërkohë, në minutën e 17-të Ukraina arriti të dërgonte topin në rrjetë me Jaremçuk, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Po në të njëjtën minutë, Jaremçuk tentoi sërish, por pa saktësi. Rasti më i pastër për vendasit erdhi në minutën e 24-t, kur Voloshin doli i vetëm përballë portës, por Strakosha reagoi në mënyrë vendimtare duke devijuar goditjen.
Shqipëria reagoi në minutën e 25-të me Brojën, i cili depërtoi bukur nga e djathta, por nuk arriti të finalizonte përballë portierit. Megjithatë, pjesa tjetër e lojës mbeti nën kontrollin e Ukrainës.
Malinovski (29’) dhe Shaparenko (31’) provuan, por pa sukses, ndërsa në minutat e fundit Ukraina shtoi presionin: Hutsuliak (40’) dhe Malinovski (41’) iu afruan golit, por Strakosha dhe pasaktësia në finalizim mbajtën rezultatin të pandryshuar.
Lini një Përgjigje