TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Tetor 2023, 16:30

Pas djemve të Silvinjos, edhe Shpresat gati për historinë, Shqipëria U-21 mposht Malin e Zi U-21 dhe ngjitet në vendin e parë (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Pas djemve të Silvinjos, edhe Shpresat gati për historinë,

Jo vetëm kombëtarja e madhe, por edhe Shpresat janë gati për të shkruar historinë. Pas humbjes me Finlandën, Shqipëria U-21 ka mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Malin e Zi U-21 në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e “EURO 2025”. Ndeshja e cila u luajt në “Arena Egnatia” u zhbllokua në minutën e 27. Medon Berisha u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.


Në minutën e 38, miqtë mbetën me 10 lojtarë. Bajoviç ndërhyri ndaj Berishës dhe u ndëshkua me kartonin e verdhë. Ai mori kartonin e dytë të verdhë dhe u largua nga fusha e lojës me kartonin e kuq.

Në minutën e 67, Stiven Shpendi goditi drejt portës, por portieri malazez e ndali në momentin e funfit predhën e sulmuesit kuqezi.


3 minuta më vonë, Shpendi goditi sërish, por shtylla i mohoi golin e sigurt.


Në minutën e 73 erdhi edhe goli i sigurisë për ekipin e Alban Bushit. Rexhepi krosoi drejt Shpendit, ku ky i fundit nuk fali para portës.


Me këtë fitore, Shqipëria U-21 ngjitet përkohësisht në vendin e parë me 9 pikë, ndërsa Mali i Zi U-21 mban vendin e 5 me 3 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, që do të luhet më 17 nëntor, kuqezinjtë e vegjël do të udhëtojnë drejt Bukureshtit, aty ku do të ndeshen me Rumaninë U-21. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave është mbyllur me fitoren e djemve tanë me rezultatin 3-2.

shqipëria u-21 mali i zi u-21 kualifikueset e "euro 2025"

Lini një Përgjigje