
Kombëtarja shqiptare do të luajë sot miqësoren ndaj Bullgarisë, me sfidën që do të nisë në orën 18:00. Ndryshe nga Republika Çeke, ku shitja e biletave ishte me ritëm të frikshëm dhe për tri orë u mbaruan të gjitha, për duelin ndaj ballkanasve ka një interes disi më të ulët.
Deri më tani janë shitur afërsisht 12.500 bileta, por kujtojmë edhe faktin që ky është një takim miqësor, dhe jo një ndeshje në kuadër të kualifikueseve. Ndërkohë pritet që deri në orën e ndeshjes numri të shkojë deri në 14 mijë.
Sa u përket çmimeve, ato nisin nga 10 mijë lekë të vjetra që janë sektorët mbrapa portave, për të kaluar te tribuna karshi që gjen bileta me 20 dhe 30 mijë lekë të vjetra dhe deri ato në tribunën kryesore që shkojnë 130 dhe 220 mijë lekë të vjetra.
Shqipëria vjen në kushte perfekte në këtë miqësore kundër Bullgarisë. Përjashto atë sfidë të parë kundër Polonisë, ekipi i Silvinjos nuk njeh rivalë, në 5 ndeshjet e fundit kanë siguruart 4 fitore dhe 1 barazim, 13 pikë në total, të vetëm në krye të Grupit E dhe me një biletë në dorë për në Berlin, gati për t’u “çekuar” në sfidën kudër Moldavisë. Atmosfera është fantastike në radhët e Kombëtares, ambienti rreth ekipit përfaqësues është gjithashtu perfekt, të gjithë janë të lumtur, krenar, me atë që ka dhënë ekipi në fushë.
Silvinjo, stafi i tij, por dhe lojtarët, nuk e njohin termin miqësor, ndaj Bullgarisë është gjithashtu një sfidë e rëndësishme, ku edhe njëherë kërkohet të festojnë me tifozët. Ndryshe nga Shqipëria, Bullgaria nuk është në një moment të mirë, madje nuk fitojnë prej një viti, nga nëntori i kaluar në një ndeshje ndaj Qipros (2-0) në miqësore. Që nga ajo kohë, skuadra e drejtuar nga serbi Mladen Krstajic, në 8 ndeshje të luajtura ka regjistruar 3 barazime dhe 5 humbje. E fundit këtë të diel kur u mundën 0-2 në shtëpi nga Lituania në ndeshjet kualifikuese të Europianit, ku në grupin G ndodhen në vendin e fundit me vetëm dy pikë, pa asnjë shans kualifikimi.
Në të kaluarën dy ekipet janë përballur 11 herë ndërmjet tyre: 5 fitore Bullgaria, 4 barazime dhe 2 fitore në favor të Shqipërisë.
Lini një Përgjigje