
Cristiano Ronaldo po punon intensivisht për t’u rikuperuar nga një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë, të cilin e pësoi më 28 shkurt gjatë ndeshjes së Al Nassr kundër Al Fayha FC.
Sulmuesi 41-vjeçar ndodhet aktualisht në Madrid, ku po ndjek një program të specializuar rikuperimi me qëllim kthimin sa më të shpejtë në fushën e lojës. Së fundmi, kapiteni i Portugalisë publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet duke përdorur një pajisje që mbulon të gjithë këmbën.
Bëhet fjalë për pajisjen Cryo Sport, një teknologji e projektuar për të përshpejtuar rikuperimin fizik të sportistëve. Pajisja tregtohet nga marka AVACR7, një bashkëpunim mes kompanisë Advanced Recovery for Athletes dhe vetë Ronaldos, i cili është gjithashtu investitor në këtë projekt të themeluar në vitin 2022 nga sipërmarrësi brazilian Rodrigo Santana.
Cryo Sport funksionon përmes një sistemi presioni ajri që synon të reduktojë lodhjen muskulore dhe të kufizojë ngërçet pas ndeshjeve. Gjithashtu, pajisja ndihmon në uljen e ënjtjes dhe dhimbjeve të muskujve. Teknologjia është përdorur edhe nga disa klube sportive, mes tyre edhe Botafogo. Sipas faqes zyrtare të markës, çmimi i aparatit arrin rreth 5.497 euro.
Trajneri i Al Nassr, Jorge Jesus, ka deklaruar se dëmtimi i Ronaldos rezultoi më serioz nga sa ishte menduar fillimisht.
“Pas ekzaminimeve u kuptua se dëmtimi ishte më i rëndë. Ai ka nevojë për pushim dhe trajtim në Madrid me specialistin që punon prej kohësh me të. Shpresojmë të rikthehet sa më shpejt për të ndihmuar ekipin”, u shpreh tekniku portugez.
Koha e parashikuar e rikuperimit është rreth katër javë, çka mund të vërë në dyshim pjesëmarrjen e Ronaldos në grumbullimin e ardhshëm të kombëtares së Portugalisë. Përfaqësuesja portugeze ka planifikuar dy ndeshje miqësore në fund të marsit: më 29 mars kundër Meksikës dhe më 31 mars kundër Shteteve të Bashkuara, të cilat shërbejnë si pjesë e përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.
Lini një Përgjigje