
Përgatitjet për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, po shoqërohen me një ndryshim të rëndësishëm në planifikimin financiar të organizimit.
FIFA ka vendosur të reduktojë më shumë se 100 milionë dollarë nga buxheti operativ i dedikuar për turneun. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ulja e fondeve pritet të ndikojë në disa fusha të rëndësishme të organizimit, përfshirë sigurinë, logjistikën dhe shërbimet për tifozët.
Megjithatë, ky vendim vjen në një kohë kur parashikimet për të ardhurat e turneut mbeten shumë të larta. Sipas projeksioneve, Botërori 2026 mund të gjenerojë mbi 11 miliardë dollarë të ardhura, një rekord për këtë kompeticion.
Sipas raportimit të “The Athletic”, reduktimi i buxhetit lidhet me strategjinë e FIFA-s për të orientuar të paktën 90 për qind të buxhetit të saj drejt zhvillimit të futbollit në nivel global. Megjithatë, kjo qasje po krijon sfida për qytetet pritëse të ndeshjeve.
Një pjesë e shpenzimeve organizative – si masat e sigurisë, organizimi i parkingjeve apo krijimi i zonave të tifozëve (“fan zones”) – mund të mbeten në përgjegjësi të autoriteteve lokale. Si pasojë, disa qytete kanë nisur të rishikojnë planet fillestare, duke reduktuar projekte ose duke anuluar aktivitete dytësore të lidhura me turneun.
Situata ndërlikohet edhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve të biletave. Për ndeshjen finale janë përmendur çmime që mund të arrijnë deri në 8,680 dollarë, duke ngritur shqetësime për aksesin e tifozëve.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, FIFA ka deklaruar se reduktimi i buxhetit nuk do të ndikojë në standardet e sigurisë apo në zhvillimin normal të turneut. Për organizimin e Botërorit 2026 pritet të angazhohen rreth 5,000 persona.
Lini një Përgjigje